Home KRYESORE Shaban Murati, diplomati që punon sa një institucion i tërë

Shaban Murati, diplomati që punon sa një institucion i tërë

Nga Shpendi Topollaj

Me diplomatin Shaban Murati vetëm një herë, vite më parë, kam pirë një kafe, kur edhe ai, por më shumë unë, kishim shfaqur dëshirën për t`u njohur. U takuam me ndërmjetësinë e mikut tonë të përbashkët, njeriut të mirë, mjekut të njohur Safet Këlliçi, atje prapa Pallatit të madh të Kulturës. Kisha lexuar nëpër gazeta shkrime të tijat dhe më ishte krijuar përshtypja se autori ishte jo vetëm një intelektual i shquar e me përvojë, por edhe njeri me shumë kurajë për të thënë qartë mendimet e tij kur ishte fjala për çështjen tonë kombëtare dhe dinjitetin e Shqipërisë. Qëndruam gjatë, por asnjë shenjë mburrjeje a dëshire për t`u dukur nuk vura re tek ai. I thjeshtë sa s`thuhet, gati nuk e besoje se ishte pikërisht ai burrë që në të gjithë artikujt e tij rrezatonte aq kulturë dhe thellësi mendimi.

Ai që me një logjikë të fuqishme argumentuese, i a përplaste kujtdo në fytyrë të vërtetat dhe që askush nuk kishte guxuar ndonjëherë as ta kundërshtonte dhe as të debatonte me të. Ishte ai pra, që sa herë e lexoja më sillte ndërmend shprehjen e Karl Popperit se “Qartësia është në vetvete një vlerë intelektualësh”. Po këtë lloj intelektuali par excellence, këtë Faik bej e kishin nxjerrë në pension. I ditur dhe i përkushtuar në detyrat diplomatike që kishte kryer, besnik dhe i ndershëm në çdo mision me të cilin ishte ndeshur, atdhetar i kulluar dhe mjaft luftarak në situatat e ndërlikuara që ai shërbim i krijonte, ai sipas ligjit formal duhej larguar nga puna.

Tani askush duket se nuk kishte nevojë për aftësitë, eksperiencën, intuitën e tij politike dhe mendjen e tij të hapur për të folur pa doreza. Por si mund të rrinte pa folur ai, kur realiteti ynë në marrëdhëniet me të tjerët, jo vetëm që ishte i trishtuar, por edhe sa vinte dhe po nënshtrohej deri në turpërim ndaj të huajve?

Nuk kishte asnjë tendencë arriviste e karrieriste tani Shaban Murati, por si intelektual i vërtetë, ndiente detyrim ndaj të ardhmes së vendit, ashtu siç thosh Ralph Waldo Emersoni: “Bëhu ai që u hap dyert atyre që vijnë pas, dhe mos u përpiq ta kthesh botën në qorrsokak”. Se duam apo s`duam, duhet pranuar se nuk janë të paktë ata që me mendimet e tyre “të arta”, me mllefet, inatet, qejfmbetjet, simpatitë, antipatitë, interesat e deri shitjen e shpirtit te djalli, ngatërrojnë e çorodisin dynjanë, për të mos thënë se po mbjellin sherr e përçarje në popull. Dhe a mund t`i quash të tillët intelektualë? Ca më tepër kur predikojnë nënshtrim të verbër e servil ndaj të huajve dhe ambasadave të tyre dhe e konsiderojnë atdheun tonë të pushtuar. Pa folur se asnjëherë nuk e ngrenë zërin për qëndrimet e dyshimta ose konformuese të qeverisë tonë dhe sidomos ministrisë të Punëve të Jashtme.

Epo Shaban Murati nuk është nga ajo racë puthadorësh. Ai e di mirë se nga vimë e ku duam të shkojmë. Ja sesi shkruan në një artikull ai: “Është faqe turpi në historinë e diplomacisë shqiptare që në bisedimet e zhvilluara me ish ministrin e jashtëm grek Kocias pranoi kërkesën greke që të përjashtohej çështja çame nga rendi i ditës, kur ishte hedhur për trajtim thesi i të ashtuquajturës paketë e të gjitha problemeve të hapura midis dy vendeve”. Dhe në këtë linjë ngre zërin e tij kumbues intelektuali – diplomat nga më të shquarit, Shaban Murati. Ai flet kur punonjësit e Ministrisë tonë së Jashtme heshtin. Duke komentuar librin e ri të mjeshtrit dhe shqiptarit të madh Shaban Murati, “Rusët po vijnë”, dr. Jorgji Kote thotë: “Vështirë të ketë ngjarje dhe sfidë gjeopolitike që nuk ka kaluar në lupën e analizave të tij dhe rekomandimeve përkatëse”. Shkruan pa iu dridhur qerpiku Shaban Murati në një kohë kur dikush mund ta akuzojë si sovranist të tejkaluar.

Se po krijohet një klimë e tillë në opinionin tonë gazetaresk dhe fatkeqësisht edhe zyrtar. Askush nuk ka rezerva te ne për aleancat, miqësitë apo koniukturat politike. Shabani është më properëndimori nga shumë të tjerë që përgjërohen me deklarata dashurie e besnikërie ndaj tyre. Por ai nuk e kupton sesi mund të duash më shumë të tjerët se atdheun tënd. As vetë ata nuk të besojnë kur sillesh kështu.

Në marrëdhëniet me këdo ai kërkon të zbatohet kushti themelor; ai i reciprocitetit. I madh apo i vogël, kjo nuk do të thotë, të na vënë kapistallin dhe të na trajtojnë si vasalë. Se fundja janë po shtetet e tyre që e kanë coptuar mizorisht vendin tonë, nga më të lashtët në Evropë. Janë po ata që as e shtrojnë ndonjëherë për zgjidhje çështjen e bashkimit të trojeve shqiptare. Dhe sikurse nuk i kursen kritikat për cilindo krah politik brenda vendit, ashtu edhe ndaj qëndrimeve të gabuara të të huajve, ai nuk ngurron të shpallë kundërshtitë e tij. Dhe këtë e bën me analiza të thella e të zgjuara, të cilat duhen marrë si udhërrëfim nga aparati i Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Gjithë këto kohë ka pasur ngjarje dhe zhvillime të rëndësishme, ku prononcimi nga ana e Ministrisë, Akademisë së Shkencave apo e intelektualëve duhej të ishte i paprerë. Dhe të vjen keq kur sheh se kjo nuk ka ndodhur me ato përmasa dhe atë forcë që interesi i Atdheut e kërkon. Prandaj është për t`u përshëndetur palodhshmëria e diplomatit atdhetar Shaban Murati, palodhshmëri që jo vetëm tregon sesi një njeri i vetëm, kur i rreh zemra për kombin e tij, mund të bëjë punën e një institucioni të tërë, por edhe sesi mund të bëhet një shembull që duhet ndjekur nga të tjerët.

Ne jemi në kërkim të shumë të mirave, por Shaban Murati sikur na kujton me shkrimet e tij brilante, fjalët e torinezit Camillo Benso di Cavoure se “E mira e parë e një populli është dinjiteti i tij”. Por meqenëse theksova se Shaban Murati ndjek gjurmët e ndritura të Faik Konicës, po e mbyll këtë shkrim me fjalët e tij: “Instinkti kombëtar është konkluzioni që një popull nxjerr nga shumë shekuj përvojë. Ky instinkt nuk të gabon asnjëherë (Albania 3, 1904). Kjo është edhe arsyeja përse këtë diplomat nuk e kundërshton dot askush, sikurse kaq mjafton që Ministria përkatëse, të mos e marrë as si këshilltar.

Share: