Nga Armir Shkurti
Kjo qe tradhëtia më e madhe që iu bë të përndjekurve politikë. Komunistët u treguan aq të hollë sa ua mbushën mendjen të përndjekurve që… të falin! “Falja është hyjnore”, “ne dimë të falim”, “ne jemi fisnikë”…..
Gjaku i derdhur në ekzekutimi me gjyq apo pa, gjaku i derdhur qelive të torturave perverse, jetët e djegura burgjeve e internimeve, urrejtja e kuqe kundër ” armikut të klasës”…. u falën? Po ore po! U faaaa – lën!!!
Viktima që humbi nënë e babë në litar a tortura, humbi motër e vëlla në kampet e internimit, humbi rininë dhe jetën nëpër burgje… e hëngri karremin! E gëlltiti larjen e trurit dhe i fali persekutorët. Edhe udhëheqësit e persekutorëve. Edhe bashkëpunëtorët. “Ashtu ishte koha”
Dhe gjarpri i pavrarë, kur e ndjeu rrezikun të ikë, e mprehu shpatën edhe një herë për situatën. Persekutorët u kthyen në pushtet. 5 – 6 pasardhës direkt të kupolës së kuqe Edi Rama i futi në qeverinë e tij. Plot të tjetë në administratë e diplomaci.
…..”a po na thua të hakmerreshim? Të merrnim revanshin”? – mbase pyet një i gjorë i përndjekur që vazhdon të banojë në Grabian të Lushnjes edhe sot, se s’ka mundësi ekonomike të ikë nga ish kampi i internimit.
- Jo vëlla!! Të mos falësh nuk do të thotë detyrimisht të hakmerresh. Do të thotë, në rradhë të parë, tu vendosësh emrin që kanë gjërave. Ta quash krimin krim. Torturuesin – torturues. Pastaj të bësh drejtësi. E mbi të gjitha: të mos harrosh! Së pari gjakun dhe vuajtjet e tua e më pas metodat dhe njerëzit që ti shkaktuan….
…Por ti zgjodhe të falësh, mik i dashur. Të thanë se ” është hyjnore” dhe ti u ndjeve shenjtor. Të thanë edhe se gjakun do të ta kompensojnë me lekë. E ti ke 30 vjet që blen gazetën, me shpresën se do gjesh emrin në listë. Atë që s’e bëre ti, e bënë ata or mik. Ata as harrojnë e , aq më pak falin! Sidomos kur fjala është për pushtetin. Aty nuk të falin! Edhe njëri – tjetrin e kanë vrarë për pushtet.