Home Gjeo-Ekonomia Teleferiku i Dajtit dhe rrugët e Shqipërisë!

Teleferiku i Dajtit dhe rrugët e Shqipërisë!

Nga Shpëtim Luku

Kur biznesmenit të mirënjohur e të ndjerë, Muhamet Malo iu propozua investimi i një projekti ai e priti dhe e trajtoi me vëmëndjen e duhur atë. Teleferiku i Dajtit kishte ngecur për arsye të mungesës së fondeve dhe Met Malo e quajti si një investim të mirë, në të cilin përmblidheshin e realizoheshin shumë qëllime të tijat.

Diversifikonte aktivitetin si biznesmen, i jepte kryeqytetit një objekt unik, tërheqës, të dobishëm, modern, por edhe e konsideronte atë si një mundësi e mirë biznesi. Teleferiku përfundoi dhe u fut në punë. Pasi mbaroi vala e kureshtarëve, e atyre që për herë të parë e shijojnë për modë diçka të re, teleferiku u fut në rrjedhën e zakonshme të aktivitetit.

Po si ishte ai? Një herë e takoj Met Malon dhe e pyes për ecurinë e Teleferikut si biznes. “Nuk ecën mirë”- u përgjigj Meti në mënyrën e tij të drejtpërdrejtë.

A e di pse nuk ecën mirë- vijova ta pyes. Meti po priste ndaj vazhdova. “Që njerëzit të marrin rrugën me teleferik për të shkuar lart në Dajt duhet që atje të ketë ofertë shërbimesh të ndryshme për ta, kurse aktualisht atje ka vetëm disa restorante”- i thashë. Më vonë, në funksion të kësaj filozofie, pra shtimit dhe përmirësimit të ofertës, vetë biznesmeni Malo bëri disa investime të tjera sikurse është hoteli apo restoranti. Kurse trashëgimtarët e Metit kanë investuar edhe në një “park adventure”.

Teleferiku i Dajtit kishte dhe vazhdon të ketë pra kontradiktën mes një rruge transporti moderne dhe arsyeve të pakëta që ofron Mali i Dajtit për ta përdorur këtë rrugë. Që të shkosh në Dajt presupozohet të kalosh disa orë në mënyrë aktive.

E kundërta ndodh me rrugët e Shqipërisë. Këtu kontradikta është mes qyteteve e zonave bregdetare që ofrojnë alternativa të mira argëtimi e kalimi kohe dhe rrugëve që të çojnë në to. Të cilat vazhdojnë të jenë të paafta për të përballuar një fluks makinash në verë, që gjithsesi është normal për këtë periudhë kohore. Ti mund të duash të shkosh në Shëngjin, tek Rana e Hedhun, por ky është një mision thuajse i pamundur. Që në momentin kur përfytyron se si bëhet trafiku në atë “tapën e shishes” mbas mbikalimit të Milotit ndjehesh i dekurajuar ta marrësh atë rrugë. E bukur është Velipoja por hajde e shko deri atje.

Gjiri i Lalëzit dhe Kepi i Rodonit janë një fat i madh për tiranasit sepse janë zona të bukura detare vetëm 40 km larg kryeqytetit, mirëpo në verë njësia matëse e largësisë nuk janë kilometrat por koha gjatë së cilës përshkohet kjo distancë jo e gjatë. E pra në muajt e verës mund të shkojë 1.5-2 orë udhëtimi vetëm në një sens.

Afër është edhe bregdeti i Durrësit, Golemit, Malit të Robit, Karpenit, por hajde e shko deri atje. Sërish trafiku bëhet aq problematik dhe aty i del rëndësia aksit të vjetër rrugor e ti nuk e kupton se pse lihet pa u rikonstruktuar ky aks i nevojshëm.

Ajo çfarë ka ngjarë me investimet në infrastrukturën rrugore të Shqipërisë është për tu revoltuar. Miliarda euro të hedhura ndër vite dhe sërish probleme të pazgjidhura. Vetëm fondet e vjedhura publike përgjatë viteve do të mjaftonin që disa probleme që hasen rëndom sot të mos egzistonin më.

Share: