Home Gjeo-Ekonomia A besoni vërtetë se George Sorros, ky njeri me kaq ndikim në...

A besoni vërtetë se George Sorros, ky njeri me kaq ndikim në botë nuk po nxjerr dot jashtë loje Berishën?!

Non grata për Berishën mund të lexohet edhe pozitivisht!

Nga Denis Dyrnjaja

Sali Berisha, dy herë ish-president dhe ish-kryeministër i Shqipërisë mori kartonin e dytë të kuq, përkatësisht statusin non grata edhe nga Britania e Madhe. Më parë këtë klasifikim ia kishte adresuar Departamenti Amerikan i Shtetit.

Berisha zgjodhi ta bëjë vetë publik vendimin edhe pse Londra kishte bërë të qartë se lista e 27 personave të klasifikuar si të padëshiruar do të ishte kofidenciale. Vendimi nuk ndryshon në arsyetim nga ai i Washingtonit, madje është edhe më konkret duke referuar aferat preferenciale ndaj biznesmenit serbo/boshnjak Damir Fazlliç, i cili ulej krah ish-Sekretarit Amerikan të Sigurisë së brendshme Tom Ridge në tryezën e qeverisë shqiptare në kohën kur Berisha ishte kryeministër.

Edhe britanikët parashtrojnë të njëjtat pretendime për favorizim dhe tolerim ndaj korrupsionit, përfitime të paligjshme e përdorim të personave me rekorde kriminale për interesa personale dhe klanore, gjatë kohës së qenies së Berishës në pushtet dhe për të ardhur sërish me ndihmën e tyre në pushtet. Njoftimi iu shkoi në mënyrë kofidenciale të 27 personave të shpallur non grata. Në Tiranë, Berisha reagoi menjëherë dhe bëri publik këtë akt, për të treguar se as kompleksohet as frikësohet prej tij. Madje ai e denoncoi si vazhdim të skenarit të përgatitur dhe servirur nga Sorros. Berisha e kategorizon si komplot kundër tij gjithçka po ndodh. Kjo tezë ndërkohë përveç se e justifikon në publik, tonifikon qëndrimin e mbështetësve dhe militantëve. Kjo krijon një reaksion politik dhe publik nga idhëtarët e tij, me nëntekstin se amerikanët dhe anglezët nën ndikimin e Sorrosit, po favorizojnë Ramën dhe sorollopin e tij të korruptuar në pushtet. Nëse e sheh ngushtë dhe me nervozizmin që realisht të shkakton një vendim i tillë, të duket edhe i logjikshëm edhe legjitim ky pretendim. Por nëse e sheh ftohtë situata mund të analizohet dhe konkludohet disi ndryshe.

Ata që mbrojnë Berishën dhe akuzojnë SHBA e Britaninë e Madhe për konspiracion dhe komplot kundër liderit të pamposhtur (cilësi e udhëheqësve ballkanikë), nuk mohojnë akuzat ndaj Berishës, madje jo vetëm që nuk janë të interesuar për t’i dëgjuar apo konsideruar ato, por argumentojnë se i gjithë ky është një plan për asgjësimin e opozitës në Shqipëri. Dhe kjo arrihet sipas tyre, duke “likuiduar” ose nxjerrë nga loja politikisht së pari Berishën. Pyetja që shtrohet gjërësisht është: pse të shpallet Sali Berisha non grata dhe jo Edi Rama që ka 9 vjet kryeministër e bashkëpunëtorët e tij janë akuzuar për afera të mëdha korruptive në qeveri?! Opsioni konspirativ të çon gjithnjë te George Sorros.

Sipas demokratëve të orientuar edhe nga lideri i tyre tanimë i shndërruar në guru politike, miliarderit të famshëm duket se Berisha i është shndërruar në një fiksim të përjetshëm. Gati gati në përfytyrimin e tyre, duket sikur Sorros fle e zgjohet me idenë si të nxjerrë nga skena politike Berishën dhe këtë gjë e ka parësore dhe qëllim në vetëvete të axhedës së tij.

E ky fiksim po i harxhon kaq shumë mund e shpenzime Sorrosit, sa po përdor gjithë arsenalin politik dhe lobues ndërkombëtar, përfshirë dhe shtetet më të fuqishme të botës, kundër një politikani të një vendi që realisht as ngre as ul peshë në kandarin e “fiantropistit konkuestador”. A besoni vërtetë se George Sorros, ky njeri me kaq ndikim në botë nuk po nxjerr dot jashtë loje Berishën?!

Apo besoni se Berisha do mundë e triumfojë edhe ndaj Sorrosit dhe establishmentit që ai kontrollon në mbarë botën sikurse pretendohet. Guxim i madh të marrësh përsipër të thuash dhe po dhe jo. Se atij Berisha as nuk i figuron fare në axhendë, para interesave që ka në kontinente e shtete të tjera, e jo më të një shteti thërrmi siç është në hartën globale ky vend ku ne jetojmë e që quhet Shqipëri. Versioni alternativ?! Thjeshtë fare. Është versioni se atë që nuk po bëjnë dot vetë shqiptarët me votë e procese demokratike në 32 vjet, po detyrohen të na e bëjnë ndërkombëtarët.

Ata po përpiqen të na pastrojnë vendin nga politikanët e korruptuar dhe demagogë, që ndryshe flasin e predikojnë e ndryshe sillen e veprojnë. A e kemi të provuar këtë? Më shumë se një herë e nga të gjitha krahët. Po përse duhet nisur nga opozita dhe jo nga pushteti? Po sepse nëse nis nga pushteti atëherë, qeveria do bjerë e bashkë me të edhe mazhoranca.

Perëmdimit i duhet stabiliteti në rajon e këtë pjesë të Evropës, sidomos në këto kohë të turbullta botërore, ndaj gjërat duket sikur ndodhin në mënyrë preferenciale e jo normale. Por ata nuk duan të shohin më të njëjtin film poltik që përsëritet prej 3 dekadash në Shqipëri.Rokadë e zakonshme, ikën një palë e korruptuar dhe vjen një tjetër edhe më e korruptuar. Çfarë bëre? Asgjë! Ku ishe?

Asgjëkundi! Cila është zgjidhja? Pastro, organizo dhe promovo një opozitë të re, të moderuar dhe “zhveshur” nga mëkatet e së shkuarës, por edhe të çliruar nga uzurpimi i njëshit dhe enturazhi i tij korruptiv i paaftë dhe servil. Krijo një alternativë të besueshme dhe konkurruese përballë një mazhorance me pushtet të tepruar. Kur ke gati opozitën, ke gati kushtet për të ndryshuar pushtetin. Sa më shumë të zgjasë “pastrimi” ose “vetëpastrimi” i opozitës aq më shumë i zgjatet jeta qeverisjes vanitoze.

Opozita nuk duket se ka vullnet për ta bërë vetë këtë proces katarsisi, atëherë po e bëjnë ata? Kush janë ata?! Ata janë italianët, gjermanët, francezët, anglezet apo amerikanët, në përgjithësi perendimi, që ne iu kemi shkuar në shtëpi pa na ftuar, me avionë e anije nga ajri, deti e toka, duke iu shfaqur sikur na e kanë për borxh të na veshin, ushqejnë, mësojnë, punësojnë e strehojnë, madje edhe shtetin të na e ndërtojnë, ruajnë e rregullojnë se herë ne e prishim, shkatërrojmë apo e rrënojmë. Dikush do thotë po kush i kërkoi ndihmë këtyre? Tani dimë ta bëjmë vetë keq ose mirë, dimë të qeverisemi e të sovranisemi. Po ashtu duhej të ishte dhe ashtu duhej të ndodhte, por ky është një pretendim i jorealist.

Se për 32 vjet nuk arritëm të ndërtojmë shtet, madje dhe diktaturën besojmë se e rrëzuam dhe demokracinë e sollëm vetë. Jo or jo. Kjo është të gënjesh veten pa ndalim e pa kursim. Për shkak se diktatura ra në të gjithë lindjen e Evropës, atëherë komunistët e Shqipërisë pasi panë se vendi, ishte rrënuar ekonomikisht, kuptuan dhe vendosën për të lejuar përmes një procesi të kontrolluar, po prej tyre, transferimin e sistemit nga diktatura në demokraci. Por e gjithë sa rrodhi ishte një gënjeshtër, që prodhoi pushtet abuziv e korruptiv, me ideale të mëdha për integrimin e Shqipërisë në BE dhe në aleancën më të fuqishme ushtarake të botës NATO-n por të mbetur si dogma në fjalimet e papagajve poltikë në çdo maxhorancë e opozitë.

Atëherë ata të cilët ti kërkon t’u bashkëngjitesh në familjen e vlerave auroatlantike na pritën 10, 20, 30 vjet dhe e panë që as bëmë dhe as kemi ndërmend të bëjmë një demokraci reale dhe funksionale, por të mbetemi për ta një barrë e vazhdueshme reale. Mjafton të kujtojmë që para çdo procesi elektoral në Shqipëri, bëhet një reformë e re zgjedhore, sigurisht me ndërmjetësim ndërkombëtar dhe në fund na duhen vëzhgues të huaj në zgjedhje. Përfytyroni çudinë e tyre, sesi nuk arrijmë dot të votojmë e numërojmë thjeshtë e drejt votat tona pa bërë skema të kamufluara për zgjedhje të manipuluara.

Atëherë pikërisht këta që të kanë pranuar në NATO e po të hapin dyert për në BE, kuptojnë se pas më shumë se 3 dekadash, situata është e njëjtë dhe koncepti autokratik dominon skenën politike. Ndaj detyrohen të shpikin e aplikojnë skenarë ekstraligjorë për t’i dhënë drejtim situatës. Duke parë se në skenën politike gjen për 30 vjet të njëjtët aktorë dhe të njëjtat oferta politike, “imperialistët” vendosën të ndërhyjnë me metoda alternative. Aplikojnë reformën në drejtësi.

Përmes saj kërkojnë të krijojnë një pastrim të.sistemit gjyqësor e më pas atij politik, për të krijuar realisht një demokraci funksionale e shtet ligjor. Këto lëvizje natyshëm do të prodhojnë efekte politike e rotacion pushteti. Por që ky rotacion të ndodhë, duhet që opozita të bëhet një alternativë e besueshme dhe reale. E kjo nuk bëhet me mendësi komuniste apo postulate demokratike, por bëhet me vendime kurajoze lidershipi, që tejkalojnë interesat personale të çdo individi. Pikërisht se kjo nuk po ndodh, atëherë përsëri perëndimit i duhen veprime ekstra ligjore.

Fillimisht kushtet dhe kufizimet e levizjes në shtetet partnere e më pas përballja me ligjin dhe ndëshkime të atyre që shpërdoruan pushtetin dhe përfituan padrejtësisht përmes tij. Ka nisur me liderin e opozotës dhe ish-presidentin e ish-kryeministrin e vendit. Por menjëherë pas tij, radhën e ka mazhoranca e sotme që do të jetë opozita e nesërme. Sot për sot është me rëndësi jetike që vendi të ketë vërtetë një opozitë moderne e demokratike. Boll më me një parti që nuk del dot përtej vorbullës së vet arkaike e folklorike.

Modernizimi dhe një vizion i ri për opozitën do të reduktonte pushtetin absolut të Edi Ramës. Do vijë dita kur të mbërrijë lista për non grata edhe për pushtetarët arrogantë të sotëm, se nuk ka peshore që ha vetëm nga njëri krah. Është çështje kohe e kushtesh që nuk i ka askush tjetër në dorë përveç opozitës që.duhet të rikrijojë vetëveten, por pa Berishën dhe format e formatin e tij. Vendit i duhet opozita, shqiptarëve një alternativë politike që t’i përfaqësojë. Kjo ofertë e sotme është shumë e sforcuar përveç se dhe jashtëzakonisht e konsumuar.

Share: