Kreu i PD, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat nga selia blu, në prag të konferencës së parë ndërqeveritare i kërkoi Ramës të heqë dorë nga amnistia fiskale. Ai solli në vëmendje deklaratat e KE dhe të Dhomave të Tregëtisë që janë shprehur kundër kësaj nisme të qeverisë.
“Unë, jam sot këtu gjithashtu për t’i kërkuar Edi Ramës, publikisht që në përgjigje të këtij vendimi fisnik të vëndeve anëtare dhe Komisionit Europian, të mos guxojë të provokojë partnerët tanë por të deklarojë menjëherë se, ai heq dorë përfundimisht nga ligji i aministisë fiskale, kundër të cilit është shprehur haptas Komisioni Europian; janë shprehur qartë dhe vende anëtare të BE, qoftë dhe me karriget bosh në takimin e tij të fundit; janë shprehur kundër edhe parnerët tanë jashtë BE-së; janë shprehur kundër Dhomat e Biznesit të SHBA, Gjermanisë, Francës, Turqisë dhe dhomat e biznesit shqiptar.
Edi Rama duhet të kuptojë se problemi më madhor që vëndet anëtare të BE-së dhe partnerët tanë kanë me Shqipërinë është kriminaliteti shqiptar dhe eksportimi i tij në vendet të tjera. Legalizmi i parave të krimit të shqiptarëve është mesazhi më i keq që iu dërgohet këtyre vendeve, agjensive të tyre të zbatimit të ligjit dhe inkurajimi i madh për organizatat kriminale shqiptare”-tha Berisha.
Më tej Berisha u shpreh se kur PD të vijë në pushtet do ta invalidojë amnistinë fiskale dhe do të kërkojmë deklarim të burimeve të të ardhurave.
“PD angazhohet se me të ardhur në pushtet ajo do të invalidojë amnistinë fiskale dhe kriminale të Ramës dhe do të vendosë para ligjit të gjithë personat që kanë përfituar nga kjo amnisti, duke u kërkuar origjinën e të ardhurave. Emrat e këtyre personave do tu jepen organeve të vendeve perëndimore që t’i përndjekin edhe atje nëse kanë veprimtari”-tha me tej Berisha./Opinion.al