Home Gjeo-Ekonomia Ish-këshilltari i Trump pranon se ka planifikuar grusht shteti në disa vende

Ish-këshilltari i Trump pranon se ka planifikuar grusht shteti në disa vende

John Bolton, ish-këshilltari i Donald Trump për sigurinë kombëtare dhe ish-ambasadori i SHBA-së në OKB, ka pranuar se ka ndihmuar në planifikimin e grushteve të shtetit në vende të huaja.

Bolton e bëri deklaratën në CNN pas seancës dëgjimore në Kongres për ngjarjet e 6 janarit 2021, ku protestuesit u futën brenda godinës për të kundërshtuar certifikimin e Joe Biden në postin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara. Për ngjarjen, ish-Presidenti Trump akuzohet si nxitës i turmës.

Në intervistën për Jake Tapper, Bolton, tha se Trump nuk u tregua i zoti për të realizuar një grusht shteti. “Duke folur si dikush që ka ndihmuar në planifikimin e grushteve të shtetit, jo këtu, por në vende të tjera, duhet shumë punë. Dhe ai nuk e bëri këtë”, tha Bolton.

Tapper e pyeti Boltonin se për cilat grushte shteti e kishte fjalën. “Nuk do të jap detaje”, tha Bolton, para se të përmendte Venezuelën. “Nuk doli i suksesshëm. Jo se kishim shumë rol në të, por pashë çfarë duhet të bënte një opozitë për t’u përpjekur që të rrëzonte një president të zgjedhur në mënyrë të paligjshme dhe ata dështuan”, tha ai.

Në vitin 2019, si këshilltar i sigurisë kombëtare, Bolton doli në mbështetje të liderit të opozitës në Venezuelë, Juan Guaido, i cili i kërkoi ushtrisë që ta mbështeste për të rrëzuar nga pushteti Presidentin Nicolas Maduro, duke pretenduar se fitorja e tij në zgjedhje ishte e paligjshme.

“Më duket se ka gjëra të tjera që nuk po më tregoni (përtej Venezuelës)”, e pyeti Tapper. “Jam i sigurt që po”, iu përgjigj Bolton.

Shtetet e Bashkuara janë kritikuar shpesh përgjatë viteve për ndërhyrjen në shtete të tjera, nga rrëzimi i kryeministrit nacionalist iranian, Mohammad Mosaddegh, në vitin 1953, e deri te pushtimi i Irakut e Afganistanit. Por është shumë e pazakontë që një zyrtar amerikan të pranojë hapur rolin e tij në nxitjen e trazirave në shtete të huaja.

Share: