Presidenti, Ilir Meta, po zhvillon një konferencë për mediat me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, në vizitën e tij të fundit zyrtare si President në Kosovë.
Gjatë fjalës së tij Meta tha se mund të kishte bërë edhe më shumë në përkrahjen e Kosovës nëse do kishte më pak probleme të brendshme në Shqipëri ndërsa theksoi se nga dita e hënë, kur ai nuk do të jetë më në detyrën e presidentit, do të bëjë më tepër për Kosovën.
“E vetmja keqardhje që kam është se mund të kisha bërë edhe më shumë në përkrahjen e Kosovës nëse do kisha më pak probleme të brendshme në vendin tim gjatë këtyre 5 viteve.
Nga dita e hënë do të bëj shumë herë më tepër edhe për Kosovën. Ajo që dua sot të falenderoj për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi pasur me ju dhe institucionet e Kosovës dhe që do ta vazhdojmë edhe në të ardhmen. Jam i bindur që edhe presidenti i zgjedhur do të vazhdojë këtë traditë shumë pozitive.
Është e rëndësishme ta theksojmë këtë vendimin e gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë sepse ajo e çimentoi pavarësinë e Kosovës dhe rrugën e lirisë, duke ardhur dje për në Prishtinë po mendoja ato katër javët e para të situatës në Kukës pas ndërhyrjes së NATO-s dhe kujtoj ato pamje”, u shpreh Meta.