Home KRYESORE Mungesa e 49 arkave me banane në kontenierin në port çon në...

Mungesa e 49 arkave me banane në kontenierin në port çon në pranga 20 persona, dyshime se brenda ngarkesës kishte kokainë nga Amerika e Jugut

Hetimet për të zbardhur fatin e arkave, që u morën nga kontenieri me banane brenda zonës doganore të portit të Durrësit, po vazhdojnë me intensitet. Ngarkesa me banane brenda kontenierit që rezultoi i hapur dhe çoi në pranga 20 persona në portin detar të Durrësit kishte ardhur për llogari të kompanisë “Zico”.

Me qendër në Tiranë, kjo kompani e ushtron aktivitetin e saj dhe pranë tregut të fruta-perimeve në Shkozet të Durrësit. Kontenieri me banane kishte mbërritur në portin detar të Durrësit më 8 korrik dhe ishte magazinuar në zonën doganore të territorit të terminalit të konteinerëve, në pritje të zhdoganimit.

Nga hetimet, rezulton se ngarkesa ishte porositur në Kolumbi dhe kishte bërë disa ndalesa për t’u ngarkuar në porte të tjera tranziti, para mbërritjes në portin detar të Durrësit ku mbrëmjen e së shtunës kontenieri u konstatua i hapur dhe me mungesën e 49 arkave me banane brenda tij. Menjëherë struktura e Task Forcës në port ka nisur hetimet duke çuar në pranga 20 persona, 16 prej të cilëve punonjës të Forcës së Sigurisë së Autoritetit Portual në Durrës. Autoritetet dyshojnë se kontenieri është hapur gjatë natës ndaj në pranga kanë rënë punonjësit e forcës së sigurisë që kanë shërbyer në turnet e natës gjatë ditëve të fundit, dy punëtorët e kompanisë pritëse të ngarkesës që ishin paraqitur në port për tërheqjen e ngarkesës, si dhe operatori i terminalit të kontenierëve dhe një tjetër punëtor.

Ndërkohë, po kontrollohen të gjitha planet e kamerave të sigurisë në port, duke nisur që nga dita kur në kalatë ka mbërritur anija me kontenierë, mes të cilëve dhe ai me ngarkesën “e prishur” në mënyrë të paligjshme. Akuzat e ngritura ndaj të arrestuarve janë për “Shpërdorim detyre” dhe “Hapje, thyerje dhe zëvendësim të shenjave të sigurisë së autoriteteve doganore”, ndërsa për dy punonjësit e kompanisë “Zico” është ngritur dhe akuza e “Kontrabandës me mallra të tjerë”.

Grupi hetimor po punon për sigurimin e provave që të ngrenë dyshime të arsyeshme për ngarkesën e paligjshme brenda arkave të marra pas hapjes së kontenierit. Dyshohet se përmes ngarkesës me banane është transportuar dhe një ngarkesë e paligjshme me kokainë nga Amerika e Jugut drejt Shqipërisë, për t’u trafikuar më pas në vendet e BE-së, një itinerar ky i njohur tashmë. Kontenieri është hapur para se ai t’i nënshtrohej kontrollit në skaner dhe atij fizik në doganë dhe policinë e pikës kufitare të portit, duke korruptuar persona të FSP-së dhe manipuluar planet e kamerave të sigurisë.

Planet e kamerave të sigurisë pritet të zbardhin personat që i janë afruar kontenierit të cilit iu dhunuan shenjat e sigurisë dhe u hap pa respektuar protokollet e transportit ndërkombëtar dhe procedurat doganore.

Kontenieri me banane ka mbërritur me anijen e kontenierëve ”Spirit of Chennai” me flamur portugez nga porti italian i Gioia Taura. Anija solli 525 kontenierë mes të cilëve dhe kontenierin me banane  që para Italisë ka pasur edhe një tjetër ndalesë tranziti në një port spanjoll.

Top Channel

Share: