Kryetarja e Parlamentit, Lindita Nikolla, ka dalë në një deklaratë për mediat, ku ka folur lidhur me njoftimin e Autoritetit të Dosjeve se një politikan i nivelit të lartë me inicialet I.M përmendet në dosje të klasifikuara të ish-Sigurimit të Shtetit.
Nikolla tha se rasti është tronditës dhe se Kuvendi duhet të reagojë. Më tej ajo theksoi se ka thirrur kryetarët e grupeve dhe i ka informuar mbi letrën ndërsa shtoi se s’mund të flas më shumë në këtë fazë të kësaj çështjeje.
“Dje Autoriteti për Informim mbi Dosjet e Ish-Sigurimit të Shtetit ka informuar publikun për rastin e një politikani me profil të lartë, me inicialet I.M, i cili ka rezultuar i përfshirë në aktivitetin e Sigurimit të Shtetit.
Autoriteti i Dosjeve ka nisur gjithashtu një letër në drejtimin tim, ku më ve në dijeni të identitetit të këtij politikani me profil të lartë dhe kërkon nga Kuvendi ndërhyrje të menjëhershme për adresimin e një pengese ligjore, që nuk ia mundëson Autoritetit veprimet e domosdoshme për rastin.
Rasti është tronditës dhe Kuvendi duhet të reagojë patjetër. Prandaj kam thirrur sot kryetarët e grupeve dhe kryetarët e komisionit të sigurisë dhe të komisionit të ligjeve, të cilët i kam informuar mbi letrën e Autoritetit, identitetin e politikanit me inicialet I.M, si edhe gatishmërinë time për ta mbledhur Kuvendin në çdo kohë që forcat politike do të kenë nevojë.
Dua ta falenderoj Autoritetin e Dosjeve për reagimin e drejtë, të pavarur dhe profesional, si edhe për kurajon në adresimin e këtij rasti, i cili ngre pyetje të rëndësishme për shoqërinë tonë dhe për forcat politike. Në respekt të ligjit dhe ndjeshmërisë së lartë të këtij rasti vërtetë tronditës, nuk mund të flas më shumë në këtë faze”-tha Nikolla