Në kërkim të një plazhi! Nga Shpëtim Luku
E diela ishte parashikuar ditë e nxehtë, ndaj alternativa kryesore për ta kaluar atë mbetej deti. I bindur se për tironsit ka mbetur vetëm një plazh, ai i Gjirit të Lalëzit, nuk u mendova gjatë. Deri në Vorë nuk pati sinjale paralajmëruese se trafiku do ishte ai i zakonshmi i së dielës.
Akoma dhe më çudi sillte shikimi tek kthesa e Maminasit, ku nuk dallohej ndonjë trafik shqetësues. Ndaj e mora kthesën djathtas në Maminas pa ngurrim. Por iluzioni zgjati vetëm 5 minuta.
Sapo kaluam Maminasin u bëmë të fundit e një autokolone dhjetra kilometra të gjatë, që me siguri pararojën e kishte në Lalëz. Shpejtësia e lëvizjes 3-4 km në orë. Me “pit stope” disa minutëshe. Pasi humbëm rreth gjysëm ore me këtë ritual duke përshkuar jo më shumë se 5 km rrugë, nervat arritën kulmin.
Gjej një vend me hapësirën e duhur dhe kthehem për andej nga erdha. Dal në autostradë shpejt me objektivin për në Golem. Deri tek mbikalimi i plepave në rregull, por kur pashë vargun e stërgjatë të makinave në rrugën dytësore, atëhere preferova autostradën për në Mal të Robit.
Mirëpo atje për dreq nuk kishte vend për makinën dhe duke ecur për të gjetur një vendparkimi mbërritëm në Golem.
Më në fund u sistemuam, por mendja më rrinte tek kthimi. Dhe jo pa arsye. Sepse ajo rruga dytësore nga Golemi deri tek Plepat në ditë të diela përshkohet për nja një orë. Si përfundim, sot ishte ditë plazhi, por edhe me vuajtje.