Home KRYESORE Sot u zbardh një prej tyre/Saga e hakmarrjes me 6 të vrarë...

Sot u zbardh një prej tyre/Saga e hakmarrjes me 6 të vrarë mes dy fiseve në Rrëshen

Arrestimi i vrasësit të Saimir Jakut, 40-vjeçarit Dorian Keqi, risjell sagën e hakmarrjes mes dy fiseve në Rrëshen.

Vrasjet njëra-pas tjetrës kanë tronditur mbarë vendin ndërsa hasmëria mes fiseve Gjini dhe Reçi ka shkaktuar disa viktima.

Ishte pikërisht vrasja e Saimir Jakut në 9 shtator 2016, ngjarja e parë që ndezi sagën e përgjakshme. Persona të maskuar qëlluan për vdekje ish-drejtuesin e OST për veriun, Saimir Jakun. Ai u qëllua me kallashnikov , teksa ka qenë duke pirë kafe në qytetin e Rrëshenit bashkë me një shok të tij. Autorët braktisën automjetin tip “Benz-Mercedes” në fshatin Gallatë të Kurbinit ku e kanë djegur dhe më pas u larguan.

Pas kësaj ngjarje, më 28 Prill të 2017 është ekzekutuar Gasper Reçi, vëllai i Kastriot Reçit. Ai është qëlluar pranë shtëpisë së tij në në Via Simeri Crichi, në Tor Vergata në Romë. Në momentin që është qëlluar në banesën e Reçit ka qenë vetëm vajza e tij. Edhe pse ambulanca ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, Gasper Reçi nuk ka mund të shpëtojë, pasi plagët e marra i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Hetuesit italianë bënë të ditur se Gasper Reci kishte disa precedent penal në të kaluarën për posedim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike.

Pesë muaj më vonë, në 6 shtator të 2017, në Belgjikë u ekzekutua 31-vjeçari, Kreshnik Gjini, kushëriri i Saimir Jakut. Ai u qëllua me dy plumba nga dy persona të maskuar dhe të panjohur. E gjithë ngjarja ndodhi para syve të koleges së tij të punës, Liliane.

Kreshnik Gjini punonte kamarier në një lokal në Saint-Denis. Mbrëmjen e së martës, ai mbylli llogaritë e xhiros ditore, kyçi biznesin dhe u largua me kolegen e tij. Këtë të fundit do ta shoqëronte me makinë në shtëpi, pasi nuk kishte mundur të arrinte tramvajin e fundit mbrëmjen e së martës. Të dy shkuan drejt parkingut ku shqiptari kishte makinën. Sapo 31-vjeçari u fut në automjet, aty u shfaqën dy persona të maskuar. Ata e qëlluan me dy plumba duke e lënë të vdekur në vend.

Më pas në 13 gusht të vitit 2019 u ekzekutua në qendër të qytetit të Rrëshenit, në sy të dy fëmijëve, Armando Gjini, i njohur edhe me emrin Tonin Gjini. Shkak për këtë ngjarje, sipas Policisë dyshohej e kaluara e tij në Belgjikë. Gjini u qëllua disa herë me pistoletë, ndërsa ndodhej brenda automjetit të tij përballë katedrales. 48- vjeçari dyshohet që të jetë vrarë për shkak të prishjes së pazareve të drogës. Hetuesit, nga ana tjetër, nuk përjashtojnë pistën e gjakmarrjes, pasi familja e tij është përfshirë në një konflikt të përgjakshëm shumë vite më parë. Por, nisur nga mënyra e ekzekutimit, e cila i ngjan stilit mafioz, hetuesit thonë se ka pak gjasa që të bëhet fjalë për hakmarrje.

Në konsideratë është marrë dhe një pistë e tretë, që ka të bëjë me dyshimet e vrasjes për shkak të borxheve. 48- vjeçari njihej si pjesë e grupit të Met Kananit. Vrasja e tij dyshohet se është bërë nga njerëz me pagesë. Viktima, i njohur ndryshe si Tonin Gjini, ishte person i njohur në qytetin e Rrëshenit, kjo edhe për shkak të arrestimit të tij në vitin 2018 dhe vendosjes së eksplozivit në makinë pak kohë para vrasjes. Konflikti midis dy familjeve nisi në vitin 2016 për shkak të një ngarkese droge nga Turqia.

Më 7 janar të viti 2020, Kastriot Reçi, u ekzekutua në një plan të mirëorganizuar me një plumb të vetëm në zemër me snajper, nga një person ende i paidentifikuar nga policia, por që dyshohet të jetë vrasës me pagesë. Reçi, ish-bashkë-aksioner i një televizioni lokal tashmë të mbyllur dhe pronar i një rrjeti kabllor, del nga makina ‘Mercedes Benz’, të cilën e parkon pas Pallatit të Kulturës ku është dhe lokali i tij. Pasi takon një grua e cila mbante përdore një fëmijë në shëtitoren e qytetit, qëllohet me snajper dhe bie menjëherë në tokë.

Ndërsa pasditen e 15 dhjetorit 2020, u vra Anton Keli. Autorët morën informacion lidhur me vendndodhjen e viktimës dhe e prisnin atë në hyrje të Rrëshenit. 51-vjeçari ndaloi makinën e tij 200 metra larg një marketi dhe sapo doli nga mjeti drejt tij u qëllua me armë.

Anton Keli eci për 40 metra në këmbë për të kërkuar ndihmë në një biznes afër, por nuk ka mundur tu mbijetoi plagëve të marra duke humbur jetën.

Hetimet janë përqëndruar në pistën e hakmarrjes, për shkak të së kaluarës së konfliktit midis fiseve Reçi e Gjini. Në lidhje me ngjarjen akoma nuk ka të arrestuar, ndërsa po punohet për dokumentimin e provave./Opinion.al

Share: