FLAKCAT E SHQIPES Nga Ledi Shamku
Është krijuar përshtypja se gjuha ndahet në fjalë të mira e të këqija dhe se një fjale, po i ra shortja me qenë e keqe një herë, është e keqe përherë.
Jo de!
Në nji dorëz fjalësh (me kontekste) që pata mbledh dikur në Malci, gjeta shprehjen “un t’lakmoj!”. Konteksti i mbledhjes: “Kët fjalë ja thotë nji djalë nji vashe kur ajo i kandet njimend. E kap prej dore dhe i thotë ”un t’lakmoj!”.
Jemi msu me e pa lakminë si një ndjesi të keqe, si një lloj gryksie, gati si dhunë. Sytë lakmitarë na i kanë përshkru si t’pacipë, si sy gati fyes.
Pa prit!
Kur s’e njeh dikë, ti nuk e don, as nuk e dashuron. Po m’duket se me fyese është t’i thuash se e ke qejf (qejfe qejfe kjo dynja), ose se t’pëlqen (mu m’pëlqejnë fjalavjen lajthiat, por nuk lajthis për lajthi!). Po kur dikush t’kandet shumë, kur ti kalon 10 herë njasaj rruge me usdajën se po e has e po e shplodh disi deshirën për te, si i thu?
Un t’lakmoj i thu! Se fjalët dinë me qenë edhe t’mira. Dinë me ndezë flakcat e Shqipes, me gacat që ende shndrisin maleve.