Home Gjeo-Ekonomia VALA E BUKUR OSE VALBONA

VALA E BUKUR OSE VALBONA

Nga Arlinda Çausholli

Thonë që Arka e Noes mbeti në malet e thepisura të Valbonës dhe aty ankorua. Male kaq të larta dhe kaq afër njeriut zor të shihen në të gjithë Ballkanin. Valbona është një rizbulim i lashtë dhe i ri sa herë këmbët e shkelin dhe Eposi i Kreshnikëve zuri fill në këto maja dhe e shpërndan jehonën e miteve të Ajkunës dhe Omerit aty në hyrje të Dragobisë. Njerëzit janë mikpritës dhe flasin me zë të ulët edhe pse malet janë të larta dhe duhet të ishte ndryshe.

Jemi mbi 1200 metra mbi nivelin e detit dhe nën një diell përvëlues arrijmë Ujëvarën e Rragamit, ku ngjitja duhet të kalojë nëpër një zall të bardhë gurësh ndricues, më tej pemë ahu të larta, dhe gurë të errët ku lagështia e burimit i mban në ngjyrë të tillë me shekuj.

Rruga kalon nëpër bujtina druri ku pijet freskuese ftohen nga një mulli uji që rrotullohet më një zhurmë të butë dhe përkëdhelëse për veshin. Duhen këpucë të forta ecjeje sepse dy orë të mira nga Fusha e Gjësë deri tek ujëvara janë të paharrueshme.

Valbona krijon kanione të jashtëzakonshme dhe njëri nga këta ndodhet në Shoshan, por gjatë rrugës për në hyrje të lumit mbi 50 kilometra të gjatë – aty ku rruga rri e puthur me ujin për kilometra të tëra – mund të ndalesh në pellgje të mëdha lumi që për nga bukuria ngjajnë me fustanet e zanave që i kemi në kokë nga fëmijëria dhe nuk i shkulim.

Uji i jeshiltë i Valbonës është brisk i ftohtë, por kredhjen nuk ia mohon vetes sepse keqardhja do të ishte akoma më e akullt. Ushqimi është i freskët si ajri dhe thepisjet e natyrës janë të pashembullta dhe kryelarta. Ndryshe nga Thethi që është pak më i rreptë, Valbona ka një ndjesi zbutjeje që mbase i vjen nga emri femëror të cilin edhe burrat e mocëm me mustaqe e përsërisin prej vitesh dhe janë mësuar të bashkëjetojnë me hiret e saj.

Ka plot udhëtarë që përshëndesin njëri-tjetrin, ndonëse nuk njihen. Ka zonja të bujtinës që të urojnë rrugë të mbarë me ton dashamirës dhe dëshirën e ke për ta dëgjuar urimin disa herë. Pak me dialekt të ndërlikuar, por jo gjithmonë duhet të kuptosh cdo gjë.
Mjafton bujaria.

Arlinda Çausholli

beautifulalbania #Valbona

Share: