Ditën e sotme Kuvendi do të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme për shkarkimin e Arben Ahmetaj nga të gjitha postet në qeveri.
Edhe pse sesioni ishte mbyllur dhe ky ndryshim mund të bëhej në fillim të shtatorit, Edi Rama nuk ka dashur ta shtyjë asnjë ditë më tepër largimin e zëvendësit të tij në Kabinet.
Largimi i Ahmetajt kishte kohë që përflitej. Vox News javë më parë shkroi se Rama “ia kishte hequr shikimin” ‘Tigrit’, term ky që në pallatin kryeministror përdoret kur kryeministri nuk të ka më në planet e tij.
Arsyet që ai po e mbante ishte vetëm prania e Ilir Metës në Presidencë që do të bëhej pengesë për dekretimin e ndryshimeve në qeveri.
Ditën e diel në orën 18:00 ishte ceremonia e betimit të Presidentit të ri në Kuvend, më pas ceremonia në Presidencë dhe fill pas kësaj sekretaria e Edi Ramës ka njoftuar me urgjencë një mbledhje me ministrat dhe sekretariatin e partisë.
Takimi u caktua të zhvillohej në Kryeministri dhe përveç kabinetit në mbledhje ishin të pranishëm dhe Damian Gjiknuri, Taulant Balla dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Takimi ka nisur me fjalën e Edi Ramës, i cili sipas një burimi të Vox News ka qenë tejet nervoz dhe agresiv në komunikim.
Kryeministri e ka nisur komunikimin me tone të ashpra duke iu thënë ministrave se në shtator do të bëjë ndryshime drastike të qeverisë, pasi ritmi që kërkon integrimi në Bashkimin Europian kërkon një tjetër shpejtësi dhe tjetër nivel ekspertize.
Në mënyrë të beftë i është drejtuar zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj që e kishte dhe të ulur afër: “Ti do ikësh sot”.
Ahmetaj ka ulur kokën dhe nuk ka thënë asnjë fjalë, as kundërshtim as falënderim për punën e deritanishme.
Burimi që në kushtet e anonimatit foli për Vox News tha se Rama këtë herë foli si “gjerman” duke nënkuptuar ashpërsinë e komunikimit.
Pas kësaj Rama ka dërguar në Presidencë me urgjencë kërkesën për shkarkimin e Ahmetaj, pa i lënë kohë Begajt që të njihej me institucionin.
Më tej Rama ka vënë theksin te sulmet dhe bërrylat që ministrat dhe drejtuesit e PS po bëjnë ndaj njëri-tjetrit.
“Nëse do të vijoni me këtë frymë në shtator do u heq të gjithëve”, mësohet të ketë thënë kreu i mazhorancës.
Prej kohësh në media ka dalë se Arben Ahmetaj nga një iniciator i inceneratorëve ishte bërë një spiun i Metës duke furnizuar partinë e ish-presidentit me dosjen e koncesionit.
Në PS të gjithë e shikonin Ahmetajn si njeriu që më shumë ishte me Ilir Metën se me Edi Ramën.
Në të gjithë sulmet që LSI bënte ndaj mazhorancës kujdesej që të hiqte nga përgjegjësia Ahmetajn edhe pse ky ishte ndër firmtarët kryesorë për atë koncesion./VoxNews.al