Home Gjeo-Ekonomia E pra, asnjë shqiptar nuk do të largohet, por e detyrojnë të...

E pra, asnjë shqiptar nuk do të largohet, por e detyrojnë të largohet.

Mrekullia Ypiane që nuk arrijmë të shohim!

Nga Elona Caslli

48 orët e fundit publikut shqiptar i është servirur një mrekulli Ypiane që mund të preket, të lexohet dhe të kuptohet veçse nga pakica e të paktëve sipas autorit të shkrimit dhe jo nga shumica e të tepërve që sipas Niçes është e paaftë të mendojë.

Mrekullia Ypiane në thelb trajton hipotezën se çdo shqiptar që vendos të lërë Shqipërinë, nuk e bën këtë i shtrënguar nga jeta e vështirë në këtë vend, por nga paaftësia për të vlerësuar si duhet mrekullinë Ypiane në Shqipëri.

Mrekullia Ypiane pasi ka përshkruar një segment të Shqipërisë, duke lënë mënjanë gjendjen aktuale të saj, nuk i kursen aspak cilësorët fyes për çdo shqiptar që vendos ta ndërtojë jetën në një shtet të huaj.

Mrekullia Ypiane para se të etiketojë vendimin e shqiptarëve për t’u larguar nga ky vend, duhet të identifikojë arsyen e këtij vendimi, pasi nuk mund të kemi një arsyetim me bazë logjike nëse gjykojmë pasojën pa identifikuar shkakun.

Shkaku i largimit të shqiptarëve është se ndihen të huaj në tokën e tyre. Ndihen të poshtëruar, të fyer, të nëpërkëmbur dhe të pashpresë nga e gjithë gjendja aktuale në vend. Çdo shqiptar i larguar është një plagë më shumë në zemrën e një familjeje. Prindër të moshuar që rrinë me sytë te dera që të hapet nga fëmijët në mërgim.
Studentë që mbushin auditoret e Evropës dhe që studiojnë fort për t’ia dalë mbanë. Prindër që futen në kredi për t’u mundësuar fëmijëve studimet në universitetet evropiane duke bërë sforcime të skajshme çdo muaj.
Nëna plot me ankth ditët e provimit; Si dole?! A e more? Mos u mërzit! Vitin e parë e ke të vështirë se pastaj mësohesh. Do vijë mami bashkë me babin për një muaj. I gjetëm dy bileta të lira.

E pra, asnjë shqiptar nuk do të largohet, por e detyrojnë të largohet. Çdo shqiptar i larguar ndihet dëshpërimisht i vogël dhe i pafuqishëm përballë poshtërsisë dhe arrogancës, hajdutërisë dhe kurvërisë, paditurisë dhe mediokritetit që e ka pushtuar këtë vend.

Askujt nuk i lind e drejta t’i gjykojë apo t’i fyejë shqiptarët e larguar. Secili prej tyre, që ka arritur ndershmërisht të ndërtojë jetën e tij në një shtet të huaj, është një vlerë më pak në Shqipëri dhe një gjurmë pozitive më shumë mbi fytyrën e Shqipërisë në botë

Post Scriptum- Është mëse e qartë që shpopullimi synon largimin e të gjithë shqiptarëve që janë të paaftë të thurin lavde për një Shqipëri imagjinare, ose e thënë ndryshe të sajojnë një Shqipëri që nuk ekziston.

Elona Caslli

Share: