Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se reciprociteti duhet të jetë përbrenda çdo zgjidhjeje normalizuese me Serbinë, teksa foli për marrëveshjen e arritur me Beogradin sa i përket dokumenteve identifikuese.
Sipas kreut të ekzekutivit kosovar, marrëveshja për dokumentet për hyrje-dalje, do të mundësojë që qytetarët e Kosovës dhe ata të Serbisë të mund të kalojnë “pa pengesa” pikëkalimet kufitare midis dy shteteve.
“Fryma e bisedimeve parimore e të barabarta në Bruksel është reciprociteti. Zgjidhjet normalizuese duhet ta kenë reciprocitetin përbrenda, teksa marrëdhëniet e mira fqinjësore e nënkuptojnë atë”, shkroi Kurti në Facebook.
Kurti falënderoi zyrtarët e BE-së, Borrell e Lajçak, por edhe emisarin amerikan, Escobar dhe ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier për angazhimin dhe kontributin e dhënë për arritjen e kësaj marrëveshjeje.
Bashkimi Evropian njoftoi më herët gjatë 27 gushtit se palët janë pajtuar që të heqin dorë nga lëshimi i dokumenteve për hyrje-dalje dhe se qytetarët e Kosovës dhe Serbisë do të mund të lëvizin me dokumentet e identifikimit të lëshuara nga shtetet e tyre përkatëse.
Nga Serbia kanë deklaruar se kjo marrëveshje nuk nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës, teksa drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se marrëveshje ruan “praninë e shtetit të Serbisë në Kosovë”.
Dy vendimet e Qeverisë së Kosovës, ai për dokumente dhe targa serbe, nxitën pakënaqësinë e serbëve lokalë, që kulmuan me vendosjen e barrikadave në veri të Kosovës më 31 korrik dhe 1 gusht.
Por, pasi barrikadat u hoqën pasditen e 1 gushtit, Qeveria e Kosovës u pajtua që të shtyjë zbatimin e vendimeve për 1 shtator.
Zyrtarët e BE-së dhe ata të Shteteve të Bashkuara u angazhuan që të bindin palët që të arrijnë marrëveshje, me qëllim të shmangies së tensioneve.
Serbia qe 11 vjet, kur u nënshkruan Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes, ka lëshuar dokumente për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Kosovës me të hyrë në territorin e saj. Këtë masë, Kosova e ka aplikuar për disa orë më 1 gusht, por u tërhoq nga lëshimi i dokumenteve të tilla pasi u hoqën barrikadat.
Edhe më herët, Kurti ka deklaruar se ishte në favor të heqjes dorë nga lëshimi i dokumenteve për hyrje-dalje, nëse Serbia do të vepronte njësojë.
Ndërkaq, vendimi për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia, e që qarkullojnë në Kosovë, pritet të hyjë në fuqi më 1 shtator, pasi palët nuk kanë arritur ndonjë kompromis për këtë temë.
Vlerësohet se 10.000 targa që lëshohen nga Serbia, me akronime të qyteteve të Kosovës, qarkullojnë në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.
Targat sikurse KM, PR, PZ, UR e të ngjashme konsiderohen të jashtëligjshme nga Kosova dhe Prishtina kërkon që pronarët e makinave me targa të tilla t’i konvertojnë ato në RKS brenda një periudhe prej 61 ditësh./REL