Home KRYESORE Kuvendi kërkesë Autoritetit: Nxirr listën e spiunëve që punojnë në administratë

Kuvendi kërkesë Autoritetit: Nxirr listën e spiunëve që punojnë në administratë

Kuvendi i ka kërkuar Autoritetit të Dosjeve që të bëjë publike listën me emrat e ish-bashkëpunëtoreve të Sigurimit të Shtetit të cilët punojnë në administratën publike.

Kërkesa e Kuvendit i është bërë Autoritetit në rekomandimet e përvitshme që jepen në raportin vjetor që miratohet në Parlament.

Kuvendi i kërkon Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për vitin 2022 që të angazhohet ndër të tjera në “publikimin në faqen zyrtare online të Autoritetit, për aq sa lejohet nga kuadri ligjor, listën e individëve që kanë rezultuar si bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit dhe që janë pjesë e administratës publike”.

Kjo kërkesë e Kuvendit vjen pas debatit të para disa javëve kur autoriteti i Dosjeve njoftoi se një politikan i lartë me inicialet I.M rezultonte i përfshirë në dosjet e ish- Sigurimit të Shtetit.

REZOLUTA E KUVENDIT PËR VEPRIMTARINË E AUTORITETIT TË DOSJEVE
Kuvendi kërkon që Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për vitin 2022 të angazhohet në këto drejtime:

Të vijojë angazhimin për hartimin e draftit të aktit nënligjor, i cili do të përcaktojë autoritetet përgjegjëse dhe mënyrën e mbrojtjes dhe ruajtjes së vendvarrimeve të identifikuara ose të dyshuara, duke dhënë kontribut në përcaktimin e detyrave të AIDSSH- së në këtë proces, por edhe më gjerë, në kuadër të bashkëpunimit me institucionet e tjera shtetërore qendrore dhe vendore;

  Të vijojë përpjekjet për dorëzimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit nga Arkivi i Sistemit të Ministrisë së Brendshme, në kuadër të bashkëpunimit dhe bashkërendimit të punës me autoritetet publike dhe arkivat për zbatimin e detyrimeve ligjore’

Të intensifikojë bashkëpunimet me institucionet qeveritare për qartësimin e fatit të të zhdukurve në komunizëm, në komunikimin me familjet, grupet e interesit, pushtetin lokal, organizatat ndërkombëtare;

Të bëjë funksional sistemin e arkivit digjital për lehtësim të procesit të kërkimit dhe konsultimit me dokumentet arkivore sipas standardeve ndërkombëtare;

Të bashkëpunojë ngushtë me ISKK-në sa i takon shfrytëzimit të dokumentacionit arkivor sipas parashikimeve ligjore, me qëllim garantimin e mundësisë për shqyrtimin e dokumenteve nga ana e studiuesve, duke mbështetur kërkimin shkencor gjatë rishqyrtimit historik të veprimtarisë së ish-Sigurimit të Shtetit;

Të intensifikojë bashkëpunimin me institucione homologe të huaja, me qëllim përthithjen e eksperiencave më të mira nga veprimtaria e tyre;

Të intensifikojë punën për deklasifikimin e dosjeve, duke përjashtuar ato që cenojnë sigurinë kombëtare dhe të vijojë me digjitalizimin e tyre;

Share: