Duket se kombet që lenë pas dore librat, shpatat dhe parmendat janë të destinuat të zhduken. Kështu ka ndodhur përgjatë të tërë historisë botërore dhe kështu po ndodh edhe në kohët moderne. Janë me dhjetra e qindra qytetërime të zhdukura, që historia i ka mbuluar me pluhur e baltë vetëm se lanë pas dore librat, shpatat dhe parmendat.
Librat janë një tërësi unitare subjektesh nga më të ndryshmet, që në fund të fundit kanë si objektiv bërjen të mundur që produktet mendore që ato bartin brenda tyre, me anë të proceseve të të lexuarit dhe të të nxënit, të materializohet në produkte e shërbime, në ide zhvillimi, në veprime individuale dhe kolektive, për përmirësimin e cilësisë së jetës së individit dhe shoqërisë për kohën kur librat janë shkruar dhe në rastin më të mirë edhe për të ardhmen.
Civilizimet e hershme shfrytëzuan të tëra mundësitë e kohës për të shkruar. Këto civilizime shkruan në gurë, në argjilë, në pllaka druri e metali, etj. Kjo sepse këto civilizime kuptuan të shkruarit ishte një mënyrë unike e përcjelljes së aftësive, njohurive dhe kompetencave nga brezi në brez dhe me kalimin e kohës dhe zhvillimin e njerëzimit dhe teknologjive, shpikën letrën, mbi bazën e së cilës realizohen librat e ditëve tona. Kjo ndodhi në Shekullin XIV, kur në Evropë lindën shtypshkronjat e para, me në të të cilave u realizua prodhimi i librave në sasi të madhe, gjë që solli edhe reformimin e shoqërisë evropiane dhe më vonë të saj botërore si dhe lëvizjen ndoshta më të fuqishme në botë, “Iluminizmin”.
Revolucioni i teknologjisë së informacionit në ditët tona ka hedhur hapat drejt përdorimit të makinerive inteligjiente për transferimin e aftësive, njohurive dhe kompetencave, por në thelb, parimi është shfletimi i librit.
Në ditët tona, librat luajnë një rol thelbësor në jetën e çdo individi, por padyshim në jetën e shkollarëve. Libri të fut në botën e imagjinatës. Libri të jep njohuri për botën dhe qytetërimet. Me anë të librave qytetërimet në përmirësuar aftësitë e leximit të individëve të tyre dhe më tej kjo ka sjellë ndryshime të mëdha në jetën e përditëshme të qytetarëve në këto civilizime. Librat rritin në mënyrë të dukshme kujtesën individuale dhe kolektive dhe inteligjencën individuale dhe kolektive. Librat janë porta që na lidhin me botën që na rrethon. Librat ndihmojnë për të mbijetuar dhe për t’u bërë ballë vështirësive. Librat ofrojnë zgjidhje për problemet me të cilat n’a përball jeta. Me anë të librave përmirësohet dhe pasurohet fjalori dhe e folura e përditëshme.
Në libra mund të mësohen aftësitë analitike dhe përmirësojnë e forcojnë zgjuarsinë, përmirësojnë kujtesën dhe ndihmojnë në përhapjen e ndërgjegjësimit te masat e njerëzve. Me anë të librave ne mund të ndërtojmë perspektivën përreth nesh dhe të ndërtojmë besimin e duhur për të arritur këtë perspektivë. Librat ndihmojnë që individi dhe shoqëria të rritet nga ana mendore dhe emocionale. Librat janë të mbushur me njohuri dhe mësime për jetën, për vështirësitë, për dashurinë, për frikën dhe çdo gjë tjetër që është pjesë e jetës tonë të përditëshme.
Kombi shqiptar është ndoshta një ndër kombet që ka luftuar më shumë për dije e shkollim.
Por të nxënit ka ecur paralelisht me luftën dhe lufta bëhet me shpatë. Kur përdor fjalën shpatë e kamë fjalën për armën që është përdorur më shumë në historinë botërore. Historikisht, shpata u zhvillua në epokën e bronzit, duke marrë forma të ndryshme sipas përdorimit. Për sulm, për mbrojtje, për prerje, për goditje, etj, sipas stilit të luftimit, por në fund të fundit, fitimtar ishte ai individ, ajo ushtri, ai komb,që dinte të përdorte shpatën. Kjo e fundit vlen për të tëra llojet e armëve. Imagjinoni një ushtri që ka armatim modern, por nuk ka luftëtarë që të dinë të përdorin këtë armatim. Përgjatë Luftës II Botërore, marinsat amerikanë dhe britanikë në Paqësor ishin të pajisur me shpata që përdoreshin në xhungël për të hapur rrugën.
Me anë të shpatës një luftëtar mund të presë dhe të shtyjë kundërshtarin. Mund të mbrohet dhe mund të sulmojë. Me anë të shpatës ai bëhet i qendrueshëm dhe nëse ka shkathtësi e teknikë në përdorimin e saj, luftëtari e mund kundërshtarin dhe fiton ndaj tij si individualisht, ashtu dhe në betejë së bashku me luftëtarët e tjerë.
Historia e kombit shqiptar është e mbushur me shembuj të shkëlqyer të fitores mbi kundërshtarët me forcën e shpatës. Gjergj Kastrioti është vetëm një shembull i kësaj.
Me anë të shpatës mbrohet toka, ku jeton individi dhe kombi. Por toka mbrohet për një arsye shumë të rëndësishme. Në tokën dhe pronën tonë ne gjejmë siguri, ndjejmë ngrohtësi, ndjejmë qetësi. Ne e punojmë tokën dhe përdorim pronën tonë për të jetuar dhe prodhuar të mirat materiale, që i përdorim në jetën e përditëshme dhe i këmbejmë me të tjerët.
Për të punuar tokën duhen mjetet e punimit të tokës, ndër të cilat më e rëndësishmja është parmenda. Parmenda është një vegël zakonsiht prej druri për punimin e tokës. Parmenda tërhiqet nga kafshët e punës. Parmenda,q ëkanë përdorur të parët tanë përbëhet nga (1) përdhesi me plorin që çan tokën, (2) veshëza ose llapari që shërben për të hedhur dheun anash, (3) shtiza që lidhet me zgjedhën e bashkohet nga shpatëza me përdhesin dhe doraku për pendarin. Disa nga dëshmitë më të hershme të përdorimit të parmendës janë gjetjet e poçerisë në fshatin Tren të Korçës, gjetjet e monedhave të prera në Durrës dhe gjetjet në fshatin Karbunarë në Vlorë, ku në të tëra rastet gjenden të gdhendura parmendat.
Parmenda tregon se popullsia në zonën ku janë gjetur këto sende të lashta, është autoktone. Autokton është një fjalë e hershme që spjegohet vetëm me shqipen e vjetër. Autoton do të thotë “a(sht) un n’tokën ton”, pra “unë jam në tokën tonë”. Edhe sot, në disa zona të veriut të vendit, folja “asht”, para-ardhësja e foljes “jam”, është shumë e zakonshme në gjuhën e përditëshme.
Kur përdor fjalën parmendë, e kam fjalën për bujqësinë dhe teknologjitë e përdorimit të tokës, nga e cila marrim prodhimet, me anë të të cilave sigurojmë të ushqyerit. Bujqësia është një nga veprimtaritë më të hershme dhe ndër më kryesoret për njerëzimin. Kombet që përpara rreth 200 vitesh filluan të merreshin me kultivimin intensitv të tokës, tashmë janë ndër kombet më të zhvilluara dhe më të industrializuara.
Pra, libri, shpata dhe parmenda i ka bërë këto kombe të jenë atje ku janë edhe sot.
Për ne si shqiptarë nuk ka asnjë dyshim se libri, shpata dhe parmenda kanë qenë, janë dhe do jenë mjetet ku mund të mbështetemi fort për të garantuartë ardhmen tonë midis ombeve të tjera. Asgjë tjetër. Askush tjetër. Vetëm libri, shpata dhe parmenda.