Home KRYESORE LIRIA DHE “IKJA NGA LIRIA”!

LIRIA DHE “IKJA NGA LIRIA”!

Sa është sot aktuale për shoqërinë kosovare libri IKJA NGA LIRIA i autorit Erih From?

Nga Fahri Musliu
…………

Në njërën nga veprat e tij më të rëndësishme, “Ikja nga liria”, sociologu, psikologu social dhe filozofi gjerman, Erih From (botuar më 1941) paraqet idetë themelore mbi të cilat ai do të mbështeste më vonë shqyrtimin e bazave të një shoqërie të shëndetshme.

Në thelbin e tezës së Fromit qëndron ideja se liria është një forcë diamagnetike – nga njëra anë na detyron të ikim tek ajo, të cilën From e quan liri pozitive, dhe nga ana tjetër – na detyron të ikim prej saj, manifestim i lirisë negative.

Megjithëse qytetërimi modern i ka çliruar njerëzit në një varg mënyrash praktike dhe u ka ofruar liri të ndryshme pozitive, efektet e saj psikologjike, sipas From kanë sjellë një epidemi të lirisë negative. Ai thekson se nga Mesjeta, përmes Rilindjes e deri në botën moderne, njeriu luftoi për lirinë dhe çlirimin nga prangat e vjetra. Pas luftërave shekullore, ai arriti të ndërtojë pasuri të pa-imagjinuara në të mira materiale, shoqëri demokratike në pjesë të ndryshme të botës dhe u mbrojt me sukses nga intrigat e reja totalitare.

Mirëpo, njeriu modern, i çliruar nga shoqëritë para-individualiste, që njëkohësisht i kanë dhënë siguri dhe e kanë kufizuar, nuk e fitoi lirinë në kuptimin pozitiv të realizimit të unit të tij individual, respektivisht shprehjen e potencialeve të tij intelektuale, emocionale dhe shqisore. Liria, ndonëse i solli pavarësi dhe racionalitet, e bëri të izoluar, e me këtë edhe me ankth e të pafuqishëm. Erih From shton se njeriu modern është ende i shqetësuar dhe në sprovë që lirinë e vet për t’ua dorëzuar diktatorëve të llojeve të ndryshme, ose ta humbas duke u shndërruar në një dhëmbëz të vogël makine, i ushqyer dhe i veshur mirë: jo më një njeri i lirë, por robot.

From i përcakton si irracionale përpjekjet që të shmangën ose ta zvogëlojë ndjenjën e padurueshme të vetmisë së njeriut modern, e që, në realitet, vetëm më shumë e intensifikon ndjenjën e të qenit i humbur.

Siç thotë From: “Epilogu i këtij disproporcioni midis lirisë nga secila hallkë dhe mungesës së mundësisë për realizimin pozitiv të lirisë dhe të individualitetit e solli Evropën deri në ikjen panike nga liria në hallka të reja ose të paktën në indiferencë të plotë”. Ai sheh disa forma të arratisjes – kah autoritarizmi, shkatërrimi, kurse konformizmi është mekanizmi më i përhapur i arratisjes në shoqërinë moderne.
……
P.S. Të dashur miq nëse nuk e lexoni shkrimin mos klikoni për pëlqime as mos komentoni.

Share: