Kur interesi për programet e mësuesisë ka rënë vit pas viti, Ministria e Arsimit ka vendosur të lehtësojë procedurat e punësimit.
Studentët e mësuesisë pasi mbaronin masterin e kishin detyrim ligjor kryerjen e praktikës përgjatë një viti mësimor në një shkollë në lëndën ku ata janë diplomuar, por me urdhrin më të fundit ministrja e arsimit Evis Kushi ka vendosur të shkurtojë praktikën profesionale të kandidatëve për mësues nga 1 vit në 3 muaj.
“Shkurtimi i kësaj periudhe vjen si unifikim i kohëzgjatjes së praktikës edhe me profesionet e tjera të rregulluara, si ai i mjekut, i infermierit dhe i psikologut, të cilët gjithashtu e kanë kohëzgjatjen e praktikës 3 muaj.
Kjo mundëson pjesëmarrje më të shpejtë të mësuesve në portalin “mësues për shqipërinë” e më pas edhe për punësim”- tha ministrja e arsimit Evis Kushi.
Por nga ana tjetër, me përfundimin e studimeve, praktikës së shkurtuar dhe punësimit përmes portalit “mësues për shqipërinë”, mësuesit e rinj do të jenë 3 muaj në provë nëse janë të aftë psikologjikisht për të ushtruar detyrën.
Këto janë politikat e reja arsimore, teksa degët që të ;ojnë drejt mësuesisë si gjuha shqipe apo matematika janë shpallur degë me prioritet kombëtar dhe nëse maturantët me mesatare mbi 8.5 i përzgjedhin do të përfitojnë gjatë vitit të ri akademik çdo muaj një bursë sa vlera e pagës minimale, teksa përjashtohen nga tarifa e studimit.
Emigracioni dhe rënia e popullsisë ka ndikuar edhe në uljen e numrit të studentëve, që vënë në rrezik mbylljen e disa programeve universitare, ndër to janë edhe Fakultetet që të japin profesionin e mësuesit si në gjuhë-letërsi, biologji-kimi, matematikë fizikë, gjuhët e huaja. Ndaj më herët, ministria e arsimit vendosi që të ul mesataren nga 7.5 në 6.5 në këto degë, për t’iu dhënë të gjithëve mundësinë të regjistrohen, por me kushtin që të mos bëhen mësues por një profesion tjetër si gazetar, përkthyes dhe do të kenë një numër matrikullimi të veçantë që nuk i lejon të vazhdojnë studimet master për mësues…
Ndërsa ata të rinj që duan të regjistrohen në këto programe studimi me vizionin e qartë për të qenë mësues mesatarja nuk do të ndryshojë, do të jetë po 7.5.
Top Channel