Marrë nga faqja në Facebook e deputetit Vullnet Sinaj
Në vendin e quajtur Bregu i Kishës, në vitin 1979 u zbuluan rrënojat e një bazilike të hershme të krishterë e cila datonte në shekullin VI erës sonë. Gërmimet e metejshme nxorrën në dritë një mozaik i cili mbulonte pjesën qendrore të dyshemesë së bazilikës.
Mozaiku është shumëngjyrësh dhe mbizotërojnë motivet gjeometrike, si dhe motivet shtazore si peshqit, të cilët bartin një botëkuptim të krishterë. Por ajo që bie në sy në qendër të mozaikut është një figurë mashkullore e vendosur në profil dhe një mbishkrim i organizuar vertikalisht si: “APARKEAS”.
Çfarë fshihet pas figurës dhe mbishkrimit enigmatik? Studiuesit dhe arkeologët janë përpjekur jo pak për t’i dhënë zgjidhje këtij misteri. Teori të shumta rrotullohen rreth kuptimit që mozaiku në shekullin VI ka dashur të përcjellë, por pa rezultat. Për më tepër, mozaiku i Mesaplikut nuk gjen asnjë të ngjashëm në rajonin e Ballkanit, duke e shndërruar këtë mozaik në një model unik.
Sot, mozaiku ruhet në Muzeun Historik Kombëtar, duke u paraqitur si një nga ekzemplaret më të veçantë që paraardhësit tanë lanë si trashëgim!
Është detyra jonë t’i mirëmbajmë dhe të nxisim kërkimin shkencor për të deshifruar shumë pikëpyetje!