Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka dalë në një konferencë për mediat me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Gjatë fjalës së saj Vjosa Osmani uroi Shqipërinë për arritjet në rrugën e integrimit dhe hapjen e negociatave me BE.
Osmani ndër të tjera tha se Shqipëria ka qenë zëri ynë aty ku nuk kemi qenë të përfaqësuar, ndërsa foli për një traktat bashkëpunimi për mbrojtje të ndërsjellë Shqipëri-Kosovë.
“Mirë se erdhët në shtëpi. Uroj Shqipërinë për fillimin e negociatave, ne i gëzohemi arritjeve të Shqipërisë dhe llogarisim në mbështetjen tuaj, keni qenë zëri ynë aty ku ne nuk jemi të përfaqësuar, kam besimin e plotë se do të intensifikojmë edhe më shumë marrëdhëniet tona. Do të aplikojmë deri në fund të këtij viti në BE, dhe llogarisim ekspertizën e Shqipërisë. Fakti që Shqipëria është në NATO, rajoni është më i sigurt. Sa i takon bashkëpunimit dy palësh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes është më rëndësi që me Shqipërinë të kemi një traktat për mbrojtje të ndërsjellë që të reagojmë në rast cënimi të dy shteteve tona, është në harmoni me praktikat ndërkombëtare, ndaj është koha që të bëjmë hapat e duhur në këtë drejtim. Presim që BE të jetë më i zëshëm karshi tendencave të prishjes së qetësisë, Serbia është agresioni dhe ajo nxit përçarje dhe presim sinjale të qarta të jepen nga BE. Në emër të popullit të Kosovës duam t’ju falenderojmë, kur keni treguar përkushtim profesional e njerëzor në mënyrë që qytetarët që vinin të plagosuri, t’u jepni ndihmën dhe përkrahjen e nevojshme”, tha ndër të tjera Osmani.