Policia e Elbasanit ka shpallur sot në kërkim 64-vjeçarin Fejzullah Çapja, babain e të shumëkërkuarit Florenc Çapja.
Gazetarja Dorjana Bezat mëson se një kontroll i befasishëm me urdhër të SPAK u ushtrua në servisin e Fejzulla Çapjas me qëllim kapjen e të birit që është shpallur në kërkim.
I shpalluri në kërkim nuk u gjet por u sekuestrua një mjet i vjedhur, targa, një kapele policie dhe municion luftarak.
Në servis u gjend një makinë e tipit “Alfa Romeo” e cila ishte grabitur më datë 18.04.2019 në Kavajë.
Policia shpalli në kërkim pronarin e servisit, Fejzullah Çapjes për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe vijon puna nga ana e strukturave të Policisë, për lokalizimin dhe kapjen e 64-vjeçarit.
Florenc Çapja është i shpallur në kërkim dhe i akuzuar nga SPAK si porositës i vrasjes në 2012 të babë e bir Nezir dhe Gentian Beqirit në Elbasan.
Top Channel