Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se në takimin e 21 gushtit në Beograd me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, mori mbështetjen e tyre që të punojë për të gjetur një zgjidhje kompromisi lidhur me vendimet e Kosovës për targat dhe dokumentet serbe.
I pyetur se cila do të ishte një zgjidhje e tillë, ai tha se “nuk e di”.
“Sapo ta kuptoj, do t’iu njoftoj. Ne do të përpiqemi, do të bëjmë më të mirën. Nëse mundemi, mundemi, nëse nuk mundemi, nuk mundemi”.
Vuçiç tha se Serbia dëshiron ta ruajë paqen dhe shtoi se “do të gjejmë më shumë propozime kompromisi”.
Sipas tij, ajo që kërkuan përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, gjatë takimit të së dielës, ishte që të mos përballeshin me përndjekje dhe Vuçiç tha se u ka garantuar se nuk do të lejojë një gjë të tillë.
“Nuk do të lejojmë pogromin dhe dëbim”, tha Vuçiç.
Kosova dhe Serbia, që dialogojnë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian që nga vitit 2011, kanë dallime sa i përket epilogut të procesit. Kosova dëshiron që marrëveshja për normalizimin e raporteve të ketë në qendër njohjen reciproke, ndërkaq Serbia dëshiron një zgjidhje kompromisi.
Presidenti serb tha se Serbia gjendet në një situatë shumë të vështirë dhe se “do të kërkojmë me dëshpërim një kompromis për 10 ditët e ardhshme. Shpresoj se do t’ia dalim”.
Ai iu referua datës 1 shtator kur Kosova ka thënë se do të rinisë zbatimin e dy vendimeve për targat dhe dokumentet serbe, që rritën tensionet në veri të Kosovës në fund të korrikut dhe fillim të gushtit.
“A besojmë në këtë, kam frikë se edhe nëse do të jetë e suksesshme, na pret kurba tjetër, shumë shpejt, dhe pastaj ajo e radhës, dhe kam frikë se rubikoni është kapërcyer prej kohësh”, shtoi Vuçiç.
Gjatë adresimit drejtuar kombit më 21 gusht në Beograd, Vuçiç tha se ishte informuar se nëse nuk arrihet zgjidhje, serbët do të largohen nga institucionet dhe se do të ketë “zhbërje të rendit të Brukselit të dakorduar me marrëveshje”.
Vuçiç po ashtu ka deklaroi se ka informacione se para përshkallëzimit të tensioneve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës më 31 korrik, një grup çeçenësh dhe çerkezësh, të cilët janë kundërshtarë të regjimit të liderit çeçen Ramzan Kadyrov, kanë qëndruar në Kosovë.
Ai tha se detyra e tyre ishte të vëzhgonin situatën në veri të Kosovës dhe të rekrutonin ushtarë potencialë për të luftuar në Ukrainë.
Kosova do “marrëveshje me gjashtë pika”
Vuçiç tha se Kosova në rundin e fundit të dialogut në Bruksel më 18 gusht, që përfundoi pa asnjë marrëveshje, kishte shkuar për të diskutuar për një marrëveshje të përgjithshme për normalizimin e raporteve me gjashtë pika.
Sipas tij, këto pika janë: Parimet e përgjithshme të marrëdhënieve dypalëshe: njohja reciproke dhe anëtarësimi në të gjitha organizatat ndërkombëtare; Zgjidhja e problemeve nga e kaluara: zgjidhja e problemit të të pagjeturve, konstatimi dhe zgjidhja e problemit të personave të përdhunuar, zgjidhja e çështjes së të zhvendosurve, e shkatërrimit të pronës private dhe publike e kthimi i objekteve dhe që dëmshpërblimet e luftës që Serbia duhet t’i paguajë të gjitha. Pastaj bashkëpunim në të ardhmen; Respektim reciprok sa i përket të drejtave të serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Luginën e Preshevës; Rishqyrtimi i marrëveshjeve të dakorduara më parë dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve dhe dispozitat përfundimtare.
Pas takimeve në Bruksel, Qeveria e Kosovës kishte bërë të ditur se kishte diskutuar për dy çështje, për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes përfundimtare dhe për targat e dokumentet serbe.
“Kryeministri [i Kosovës, Albin] Kurti theksoi që kjo marrëveshje duhet të jetë ligjërisht e obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër. Ai prezantoi disa kapituj me elemente përkatëse që duhet t’i përmbajë kjo kornizë”, u tha në deklaratën e Qeverisë të lëshuar mbrëmjen e 18 gushtit.
Në Beograd, Vuçiç tha se ditëve të fundit në mesin e popullatës serbe në Kosovë ka mbretëruar frika dhe tha se ata “janë të mbështetur për muri”. Ai tha se në rundin e fundit të dialogut në Bruksel, Prishtina ka refuzuar çdo propozim për targat dhe dokumentet serbe.
Kosova “dëshiron dëbimin e serbëve”
Por, sipas presidentit serb mesazhi i Serbisë për popullatën serbe në Kosovë është se “pa marrë parasysh se çfarë është situata, nuk do të ekzistojnë kolonat e refugjatëve sepse ne do të shpëtojmë popullin tonë nga persekutimi”.
Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takuan në Bruksel më 18 gusht në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Takimet në Bruksel përfunduan pa marrëveshje rreth tensioneve të fundit, që kanë të bëjnë me dy vendimet e Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe.
Presidenti serb përsëriti se në Bruksel është kërkuar që të kthehen targat KS, për të zëvendësuar ato që i lëshon Serbia për Kosovën (KM, UR, PR e të ngjashme), por ky propozim është refuzuar.
Targat KS kanë status neutral karshi shtetësisë së Kosovës.
“Atyre nuk u intereson ta zbatojnë atë, vetëm se si u shkatërruan jetët e serbëve nga Kosova dhe Metohia. Ata refuzuan gjithçka. Dhe targat KS, dhe gjithçka. Sepse i vetmi qëllim i torturimit të popullit tonë në Kosovë është dëbimi përfundimtar i tyre”.
“Qëllimi është shfuqizimi i çdo gjëje që ka të bëjë me shtetin serb dhe të bëhet përndjekja e serbëve nga Kosova”, shtoi Vuçiç.
Në dialogun e Brukselit,Vuçiç tha se të gjitha propozimet e Serbisë ishin që të gjendej një kompromis, por ato nuk u pranuan nga Kosova.
Ai po ashtu foli edhe për vendimin e Kosovës për dokumentin për hyrje-dalje, në vlefshmëri prej 90 ditësh. Sipas tij, lëshimi i këtyre dokumenteve nga Kosova është një “çmenduri.
“Serbët duhet të marrin sërish vizë për të jetuar në shtëpinë e tij. QUINT pajtohet, të paktën ata në Prishtinë. Ata në Bruksel ishin më korrektë”, tha Vuçiç.
Më 31 korrik dhe 1 gusht, serbët lokalë bllokuan rrugët në veri të Kosovës për të kundërshtur dy vendimet e Qeverisë në Kurtit, për targat dhe dokumentet serbe.
Por, pasi barrikadat u hoqën pasditen e 1 gushtit, Qeveria e Kosovës njoftoi për shtyrjen e zbatimit të vendimeve për një muaj.
Vendimi i parë ka të bëjë me riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia, në ato RKS (Republika e Kosovës). Targat me akronime të qyteteve të Kosovës – sikurse KM, PZ e të ngjashme – që lëshohen nga Serbia, konsiderohen ilegale nga Prishtina zyrtare.
Ndërkaq, vendimi i dytë ka të bëjë me lëshimin e një dokumenti për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë, që hyjnë në Kosovë. Këtë dokument, Serbia ua lëshon shtetasve të Kosovës qe 11 vjet dhe derivon nga Marrëveshja për lirinë e lëvizjes që palët kanë arritur në Bruksel më 2011.
Raundi i dialogut më 18 gusht u thirr për të ulur tensionet mes palëve, pas ngritjes së barrikadave dhe BE-ja tha se
Por, edhe pas heqjes së barrikadave, zyrtarët në Prishtinë dhe Beograd ashpërsuan retorikën. Kryeministri Kurti tha për REL-in në fillim të gushtit se situata në veri ka mundur të përshkallëzohej në konflikt të armatosur. Ndërkaq, Vuçiç deklaroi në Beograd se kishte informacione për plane të Prishtinës për të “likuiduar” serbët në Kosovë.
Bashkimi Evropian u ka kërkuar palëve që të ndalojnë retorikën nxitëse, duke paralajmëruar se do të mbajë përgjegjës udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë nëse ka përshkallëzim të situatës.
Përderisa situata në veri të Kosovës është e qetë dhe stabile, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ditëve të fundit ka rritur prezencën në këtë pjesë të shtetit.
Vetë shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, më 17 gusht ka pranuar se KFOR-i ka shtuar prezencën në veri, teksa ka përsëritur qëndrimin se forcat e Aleancës janë të gatshme të ndërhyjnë, nëse rrezikohet stabiliteti në Kosovë./REL