Nga Erion Dasho
Sigurisht, “arrestime të koordinuara” dhe të stisura si ai i kolegut të Spitalit Ushtarak dje janë të neveritshme. Është hera e disatë tani që, sa herë që rilindësit hyjnë në panik, një nga valvulat e shkarkimit është arrestimi i mjekëve.
Në shkurt 2021, në kulmin e vdekjeve nga pandemia, u arrestua Prof. Prifti, sot në kulmin e skandalit me e-Albanian arrestohet kolegu Marku. Edhe më parë arrestimet e mjekëve mund të shihen qartazi në kontekstin e skandaleve rilindase!
Kjo farsë duhet të ndalojë!
Nga ana tjetër, kolegët që ende jetojnë e punojnë në Shqipëri duhet të kuptojnë se pranimi i parave nga pacientët kundrejt ofrimit të kujdesit shëndetësor në institucionet shtetërore duhet të marrë fund!
Jetojmë në Europën e shekullit XXI dhe kemi hyrë në rrugën e pranimit në EU. Praktika mesjetare e rryshfetit mund të justifikohej kur paga e mjekut ishte në nivelet e ekzistencës. Por sot, kur klinikat e shumta private luten për mjekë, duke ofruar pagesa dinjitoze për shërbimet part-time, ose deri pagesa të nivelit europian për mjekët e punësuar full-time, NUK KA MË JUSTIFIKIM TË PRANOHEN RRYSHFETE!
Mjeku shqiptar duhet të europianizohet, përndryshe figura e tij do të diskretitohet përfundimisht dhe rruga e emigracionit do të mbetet e vetmja zgjidhje për grupin e mjekëve të rinj.
Të nderuar kolegë!
Ka ardhur koha të rikthehet dinjiteti i bluzës së bardhë! Respektoni zgjedhjen tuaj!