Home Gjeo-Ekonomia Dialogu me Kosovën/ Scholz e Macron letër Vuçiç: Gatishmëri për vendime të...

Dialogu me Kosovën/ Scholz e Macron letër Vuçiç: Gatishmëri për vendime të vështira

Presidenca serbe ka njoftuar se presidenti Aleksandar Vuçiç ka marrë një letër të përbashkët nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz.

“Ne po ju dërgojmë këtë letër të përbashkët në një moment me rëndësi vendimtare për sigurinë në kontinentin evropian dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Jemi të bindur se, në dritën e agresionit rus kundër Ukrainës, duhet të bëjmë përpjekje edhe më të forta, në mënyrë që perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor të bëhet realitet dhe të zgjidhen mosmarrëveshjet afatgjata dypalëshe dhe rajonale. Normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i një rëndësie thelbësore për Ballkanin Perëndimor”, thuhet në letrën e dy liderëve evropianë.

Sipas mediave serbe dy liderët perëndimorë iu drejtuan Vuçiçit për t’i apeluar që të tregojë “vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat çojnë në përparim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën kujdesin e BE-së”.

“Tensionet e fundit kanë treguar se nevojiten urgjentisht hapa konstruktivë përpara, si në nivel praktik ashtu edhe në atë politik. Prandaj, ne i ngarkuam këshilltarët tanë për politikën e jashtme dhe të sigurisë, Jens Pletner dhe Emanuel Bono, që t’i ofrojnë mbështetje të drejtpërdrejtë Miroslav Lajçak në përpjekjet e tij. Ne sugjerojmë që këshilltarët tanë, së bashku me Miroslav Lajçak, të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë, në mënyrë që të eksplorojnë mundësitë për të çuar shpejt procesin përpara”, thanë Macron dhe Scholz.

Ata përfundojnë letrën duke thënë se sinqerisht shpresojnë që iniciativa të ketë mbështetjen e Aleksandër Vuçiçit/Opinion.al

Share: