Politika sa herë ndryshon krah, ndryshon bashkë me të edhe qëndrimin mbi dosjet e ish Sigurimit të Shtetit, por sot socialistët dhe një grupim demokratësh që mbron linjën pro amerikane kërkojnë që kutia e Pandorës të hapet.
Socialistët synojnë përmes nismave të tyre ligjore një formë lustracioni për politikën shqiptare tre dekada pas rënies së regjimit komunist , por një gjë e tillë nuk mund të ndodhë pa hapjen e arkivave të ish Sigurimit të Shtetit dhe këtu një rol thelbësor luan nisma e demokratëve që ndjekin Enkelejd Alibeaj, të cilët kërkojnë që dosjet sekrete të mos jenë më të tilla.
“Konsiderohen të deklasifikuara dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, për periudhën 29 nëntor 1944 deri në ditën e krijimit të Shërbimit Informativ Kombëtar, 2 korrik 1991, të cilat disponohen nga të gjitha arkivat e rrjetit arkivor të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në nismën ligjore të Grupit të Alibeajt.https://6726a8f59bcc1f790d8d90a946bebbb3.safeframe.googlesyndication.com/safeframe/1-0-38/html/container.html
Nisma e demokratëve që nuk mbështesin linjën e Sali Berishës synon që aksesi mbi dokumentacionet për torturat, vrasjet, spiunimin, persekutimin dhe terrorin psikik të kenë jo vetëm ata të cilët u prekën drejtpërdrejt nga dhuna shtetërore e regjimit por çdo njeri që kërkon të mësojë pas tre dekadash demokraci se kush ishin persekutorët dhe kush viktimat.
“Ky projektligj është në harmoni të plotë me ligjin “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit”, dhe synon një zgjerim thelbësor të tij, në mënyrë që e drejta për t’u informuar të mos kufizohet vetëm tek të prekurit, por edhe çdo qytetar tjetër i interesuar.”
Paragrafi i mësipërm duket kërkon të mbrojë ligjin nga animimet e pritshme kushtetuese dhe ligjore, nga palët që do preken nga ekspozimi i të shkuarës së tyre.
Nga zbatimi i kësaj dispozite, hartuesit e projektligjit kanë përjashtuar dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që lidhen me marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe sigurinë kombëtare.
Ndërsa aksesi mbi dosjet të cilët deklasifikohen do mund të bëhet përmes një tarife në përpjesëtim të drejtë me shërbimin dhe materialet e kërkuara.
Demokratët gjithashtu kanë nxjerrë nga sirtarët edhe nismën për dekomunistizim të shoqërisë e cila prek jo vetëm veprat letrare të realizimit socialist por edhe kinematografinë e kohës.
Propozimi parashikon vendosjen e një shënimi tek çdo film apo libër për të shpjeguar se prodhimi ka përmbajtje të ideologjisë komuniste.
“Veprat krijuese intelektuale, krijimet e tjera intelektuale ose përmbledhjet e veprave, që përmbajnë propagandë të regjimit totalitar komunist, të hiqen nga qarkullimi. Në rastet kur ato, përveç propagandës së regjimit totalitar komunist, përmbajnë edhe elementë artistikë apo shkencorë, transmetimi i tyre në shtyp apo televiziv, radiofonik ose kompjuterik lejohet vetëm nëse ato shoqërohen me informacion të dukshëm dhe të qartë, të referuar nga Autoriteti Qendror për krimet e komunizmit dhe pasojat e tij në Shqipëri.”
Grupimi që udhëhiqet nga Alibeaj kërkon ndalimin me ligj të propagandës dhe simboleve komuniste si dhe ndalimin e kandidimit për deputet dhe funksione të larta shtetërore të personave që e promovojnë atë.
Top Channel