Home Gjeo-Ekonomia Frika nga sulmet kibernetike, BE ashpërson rregullat për pajisjet “smart”

Frika nga sulmet kibernetike, BE ashpërson rregullat për pajisjet “smart”

Krahu ekzekutiv i Bashkimit Europian propozoi një legjislacion të ri që do t`i detyrojë prodhuesit të sigurohen se pajisjet e lidhura me internetin do të përmbushin standardet e sigurisë kibernetike.

Synimi i një lëvizjeje të tillë është që ta bëjë bllokun 27-vendesh sa më pak të prekshëm ndaj sulmeve të tilla. BE-ja thotë se një i ashtëquajtur sulm “ransomware” ndodh çdo 11 sekonda, ndërsa kostoja globale e krimit kibernetik për vitin 2021, u vlerësua në 5.5 trilionë euro.

Vetëm në Europë, sulmet kibernetike kushtojnë nga 180 deri në 290 miliardë euro çdo vit, sipas zyrtarëve të bllokut. Komisioni Europian shprehet se  një rritje e sulmeve kibernetike u dëshmua që gjatë pandemisë së koronavirusit, ndërsa lufta e Rusisë në Ukrainë ka ngritur shqetësime se infrastruktura energjetike europiane gjithashtu mund të vendoset në shenjestër në mesin e krizës së energjisë. Drafti i mbiquajtur Akti i Rezistencës Kibernetike, kërkon të heqë nga tregu i BE-së të gjitha produktet me elemente digjitale që nuk janë të mbrojtura siç duhet.

Sipas Komisionit, ai jo vetëm do të reduktonte sulmet, por do të ndihmonte që të përfitonin edhe konsumatorët pasi do të përmirësonte mbrojtjen e të dhënave dhe privatësisë. Kur bëhet fjalë për sigurinë kibernetike, Europa është po aq e fortë sa hallka e saj më e dobët, qoftë një shtet anëtar i cenueshëm apo një produkt i pasigurt përgjatë zinxhirit të furnizimit”, u shpreh komisioneri i BE-së per tregun e brendshëm, Thierry Breton.

“Kompjuterët, telefonët, pajisjet shtëpiake, pajisjet e ndihmës virtuale, makinat, lodrat… secili prej këtyre qindra miliona produkteve të lidhura është një pikë e mundshme hyrëse për një sulm kibernetik”, shtoi ai. Breton pohoi se shumë produkte hardware dhe software aktualisht nuk i nënshtrohen asnjë detyrimi për sigurinë kibernetike. Nëse miratohet, rregullorja do t’u kërkonte prodhuesve të marrin parasysh sigurinë kibernetike në hartimin dhe zhvillimin e pajisjeve të tyre. Kompanitë do të mbeten përgjegjëse për sigurinë e produkteve për të paktën pesë vjet.

Top Channel

Share: