Nga Stefano Marcelli
Sapo kam dalë në pension pas tridhjetë e pesë vitesh pune në Rai (Radio Televizioni Italian). Dhe e di me siguri që këto janë orë, në televizionin shtetëror italian, takimesh, darkash dhe telefonatash frenetike në funksion të 25 shtatorit, ditës së caktuar për zgjedhjet politike.
Sondazhet flasin vetë dhe thonë se fitues i sigurt i zgjedhjeve të ardhshme do të jetë e vogla dhe e ashpër Giorgia Meloni, presidente e partisë së ekstremit të djathtë “Fratelli d’Italia” (Vëllezërit e Italisë). Meloni është trashëgimtarja e fundit politike e së djathtës postfashiste italiane dhe partia e saj deri më tani ka mbetur në margjinat e politikës italiane dhe gjithashtu të ndarjes politike në krye të kompanive shtetërore, përfshirë Rai-n.
Gazetarët dhe drejtuesit e Rai-t të rekrutuar në radhët e “Fratelli d’Italia” nuk arrijnë në dy dhjetra dhe për këtë arsye, pas fitores, Giorgia do të duhet të rekrutojë domosdoshmërisht shumë nga ish-pasuesit e Partisë Demokratike, Cinque Stelle (Lëvizja Pesë Yje) dhe Forza Italia: të gjitha palë të destinuara për një kolaps zgjedhor.
Kjo është arsyeja pse gara është hapur për të hipur në vagonin fitues dhe sa më shpejt, për të qenë në gjendje për të negociuar pozicionet më të mira.
E njëjta gjë po ndodh në krye të ministrive dhe të të gjitha kompanive shtetërore italiane.
Por dihet që të gjitha këto qendra të pushtetit kombëtar janë të vendosura në Romë, një qytet mijëra vjeçar ku, që nga koha e Cezarëve e në vazhdim, përmbysjet janë rend i ditës dhe zyrtarët janë ekspertë në artin e riciklimit politik për të favorizuar karrierën e tyre.
Në Shqipëri nuk ka zgjedhje të ardhshme, por ajri është përshkuar nga erërat malinje dhe të krijohet përshtypja se në majat e pushtetit po ndodhin lëvizje të thella dhe gjithnjë e më kërcënuese sizmike.
Gjithçka nisi një vit më parë kur Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli Sali Berishën persona non grata. Efekti i menjëhershëm ishte dorëheqja e sekretarit të PD-së, Lulzim Basha, e cila e lë Partinë Demokratike pa një lidership të njohur, ndërsa ish-sekretari i saj duket se po rimëkëmb partinë dhe opozitën.
Më pas Britania e Madhe rriti dozën, duke e akuzuar hapur Berishën për marrëdhënie me krimin e organizuar.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, arrin të përfundojë mandatin e tij duke iu shmangur procedurës së shkarkimit dhe akuzave të shumta e të rënda për korrupsion e deri asaj për spiunazh në emër të Enver Hoxhës.
Pastaj fillon edhe thriller-i. Më 17 korrik, tre anëtarë të klanit të Elvis Martinaj vriten në rrugën për në Fushë Krujë dhe pak ditë më pas jepet lajmi për vdekjen e vetë Martinaj. Lajm që nuk ka gjetur asnjëherë konfirmime pasi trupi mungon, kështu që mbetet pezull pyetja nëse ai është vrarë apo është në arrati. Sido që të jetë, zhdukja e tij do të kishte shkaktuar, sipas shumë burimeve të mirë informuara, një riorganizim brenda pushtetit kriminal.
Nuk mbaron këtu. Në këtë pikë, shkarkohet drejtori i policisë shqiptare, që konsiderohet përgjegjës për mos arrestimin e shumë kriminelëve dhe në thelb për bashkëpunimin me bandat.
Spastrimet prekin edhe sferën politike, me largimin e atij që ishte ndoshta më i fuqishmi nga ministrat e qeverisë.
Ndërkohë që nga Washingtoni po përflitet për prezencën e emrave shqiptarë mes atyre të politikanëve të financuar nga Kremlin-i vitet e fundit, Shqipëria është në ballë të përplasjes me Iranin për shkak të Muxhahedinëve të Popullit të dërguar këtu nga SHBA-tw.
Dhe pastaj janë thashethemet, paralajmërimet e pëshpëritura në vesh: hetimi për inceneratorët që prek liderët socialistë, hetimet e reja që do të preknin ndoshta biznesmenë me rëndësi.
Jo, në Shqipëri nuk votohet, por erërat e stuhisë duket se parashikojnë disa përmbysje edhe këtu.(Albaniapost)