Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me konfiskimin e ndërtimeve pa leje, që sipas tij, po kryen me qëllim fitimi.
Në rrjetet sociale, Rama i është përgjigjur pyetjes së qytetarëve se ku ka qenë shteti në momentin që janë ndërtuar objeket pa leje.
Për këtë, kryeministri Edi Rama fajëson insepektorët dhe policinë e zonës që sipas tij, nuk kanë kryer detyrën e tyre. Rama thotë se për këtë arsye ka nisur dhe një hetim për inspektorët dhe efektivët e policisë.
Rama është përgjigjur dhe akuzave se ai ka përfituar nga objektet e ndërtuara pa leje.
Postimi i Ramës
KU ISHTE SHTETI KUR U NDËRTUA?
E kam ndeshur këtë pyetje në komente mbi operacionin më të fundit të qeverisë për konfiskimin e ndërtimeve pa leje për qëllim fitimi. Pyetja në fakt është ku ishin inspektorët apo punonjësit e policisë së zonës ku janë bërë të tilla abuzime! Këtë do ta mësojmë nga hetimi që ka nisur paralelisht, ndërkohë që pa dashur të humbas kohën e askujt të cilit nuk i mbushet mendja, po as timen për t’iu mbushur mendjen atyre që s’duan, them se janë disa gjëra që duhen mbajtur parasysh:
E para, sot këto lloj ndërtimesh janë ku e ku më pak se dje dhe janë ku e ku më pak, pikërisht sepse ka ku e ku më shumë shtet, ligj, rregull se deri dje.
E dyta, kjo nuk është një ndeshje futbolli dhe as një betejë e vetme, po një luftë e gjatë, ku avantazhi i shtetit e i ligjit në terren nuk merret kollaj, po me mund e durim të madh.
E treta, ky operacion bazohet në ndryshimet e reja ligjore, që dolën si mësim në rrugën plot kthesa e befasira të kësaj lufte dhe në një vullnet të papërkulur për ta çuar këtë luftë të gjatë deri në fund.
E katërta, ka shumë të ngjarë që me mbylljen përfundimtare të rrugës së legalizimit dhe konfiskimet e këtyre hapësirave abuzive për interes publik, të vuloset edhe fundi i kësaj praktike të neveritshme.
E pesta dhe e fundit, e cila është edhe personale dhe e kam me ata që më dinë si veten e tyre apo më akuzojnë për gjëra që mesa duket do t’i bënin vetë në vendin tim: Po të kishte lindur ndërtuesi që më blinte mua me kate e me metra pallatesh, ky operacion nuk do ndodhte kurrë me nxitjen dhe nën udhëheqjen time. Kaq.