Home Gjeo-Ekonomia “Nëse do isha i korruptuar…”, zbardhet intervista e Saimir Tahirit para arrestimit:...

“Nëse do isha i korruptuar…”, zbardhet intervista e Saimir Tahirit para arrestimit: Mua më vunë bombat! Në Shqipëri marijuana histori varfërie

“Sikur të isha i korruptuar? Unë nuk do të vija në Itali për të kërkuar nga Guardia di Finanza të dyfishojë kontrollet për monitorimin e territorit”,- janë këto fjalët e ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, pak ditë para arrestimit. 

Në një rrëfim ekskluziv për Nello Trocchias, Tahiri flet në dokumentarin investigativ “The Albanian Narcos” që do të transmetohet sot në mbrëmje në median italiane, ndërsa thotë se si Ministër i Brendshëm i ka kërkuar të gjitha vendeve evropiane ndihmë e mbështetje për të luftuar trafikun e drogës.

Pak ditë pas intervistës, ende të patransmetuar, Saimir Tahiri përfundoi në burg pasi u dënua nga gjykata për shpërdorim detyre me 3 vite e 4 muaj, i akuzuar për lidhje me një grup kriminal të dedikuar për trafikimin e marijuanës drejt Italisë.

“Më vunë bombat. Në Shqipëri nuk ka ndodhur kurrë që t’i vendosen bombat një ministri. Këtu marijuana nuk është histori kriminelësh, por varfërie”, thotë Tahiri në dokumentarin e realizuar nga Carmen Vogani, Lorenzo Giroffi (regjisor) dhe Marco Carta.

“Ish ministri na tregoi edhe pagesën që trafikantët u paguanin ‘punëtorëve’ të tyre. 5 mijë euro në vit, për kë kultivonte marijuanë, që në një vend të varfër si Shqipëria, është një shifër e madhe”, tregon në dokumentar gazetari italian pas bisedës me ish-ministrin italian.

Pjesë nga artikulli në median italiane:
Ish-ministri i qeverisë Rama, i cili mbajti postin e ministrit të brendshëm deri në mars 2017, ishte i përfshirë në hetimet e zhvilluara në Itali, të cilat çuan në tetor të po këtij viti, në çmontimin e një organizate kriminale të përbërë nga italianë dhe shqiptarë.

Tahiri dyshohet se kishte lidhje me dy anëtarë të organizatës, vëllezërit Moisi dhe Florian Habilaj, i pari i arrestuar në Itali. Habilajt janë të afërm të ish-ministrit, emri i të cilit ka dalë disa herë në përgjimet e kryera nga hetuesit italianë.

Në maj 2018, Tahiri dha dorëheqjen nga mandati i deputetit, duke përfunduar menjëherë në arrest shtëpie, për t’u hetuar më pas në liri. Avokati i tij Maksim Haxhia e quajti skandaloz dënimin duke njoftuar apelimin e tij.

MAFIA SHQIPTARE
Ish-ministri, tashmë në burg, flet për pagat që trafikantët e drogës u garantojnë fermerëve, 5000 euro në vit vetëm për të kultivuar marijuanën në fushat e shndërruara në plantacione, para që në Shqipëri përfaqësojnë një shumë të madhe. Kështu trafikantët arritën të rrisin prodhimin dhe të bëhen në këtë sektor ndër eksportuesit e parë në arenën kriminale ndërkombëtare.

Mafia shqiptare e filloi ngritjen e saj të pandalshme në vitet nëntëdhjetë me sulme ndaj sendeve me vlerë, vjedhje në apartamente, grabitje në vilë derisa u bënë trafikant qeniesh njerëzore dhe menaxhuan biznesin e madh të prostitucionit.

Njëra prej viktimave flet në dokumentar dhe tregon dhunën, abuzimet, vrasjen e familjarëve për guximin e denoncimit. Origjina e së keqes shqiptare është si mbështetje për organizatat kriminale italiane që kanë përdorur fuqinë punëtore shqiptare për të drejtuar furgona, për kontrabandë deri në marrëveshjet e trafikut të drogës.

Që nga vitet nëntëdhjetë, mafia e Foggias ka biseduar me atë shqiptare dhe përdor tarifat e përballueshme që ofrohen për transportin e drogës, por edhe për të vrarë rivalët.

“Nëse bën një punë normale duke punuar shumë mund të fitosh deri në 300 euro në muaj, por duke qenë kriminel mund të fitosh të njëjtën shumë në një minutë. Ja pse shumë të rinj tërhiqen nga kjo jetë, jeta e kësaj bote, gjithmonë nga paraja dhe pushteti”, thotë një ish-trafikant droge.

Trafikantët shqiptarë të drogës janë të armatosur deri në dhëmbë dhe të pamëshirshëm me këdo që përpiqet t’i ndalojë, prej vitesh konsiderohen si kriminelë të dorës së dytë, por përmes lidhjes së përkatësisë dhe besnikërisë kanë arritur të rekrutojnë një ushtri ‘besnikësh’.

‘Besnik’ që merren me menaxhimin, ruajtjen dhe kontrollin e porteve në të gjithë Evropën ku kalon ari i shekullit: kokaina.

Trafikantët shqiptarë të drogës bëjnë biznes në Evropë, pothuajse kanë monopolin e trafikut të marijuanës.

Çfarë ndodh në Ekuador? 
Në hetim, falë kontributit të gazetarëve vendas, rindërtohet beteja e bandave që po zhvillohet në anën tjetër të botës, ku presidenti, Guillermo Lasso, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për të ndaluar kaosin dhe frikën që mbretëron në atë territor. “Shteti ynë, rrugët e vendit tonë kanë vetëm një armik: trafikun e drogës, më shumë se 70% e vdekjeve të dhunshme në vendin tonë janë të lidhura me biznesin e madh të trafikut të drogës”, thotë Lasso.

Amerika e Jugut ka qenë gjithmonë një parajsë e kontrabandistëve, shqiptarët janë kanë qenë në sherr për më shumë se një dekadë, por një krizë si kjo nuk është parë kurrë më parë. Në Ekuador, ka pasur rreth 1900 vrasje në vitin 2021, 328 në tre muajt e parë të 2022.

“Këtu po ndodh gjithçka, më parë ka pasur rreziqe si vjedhje, grabitje, por jo deri këtu. Ka prita, vrasje, ka njerëz që nuk bredhin më rrugëve me fëmijë se kanë frikë nga plumbat ‘qorr’ ”, thotë një qytetar.

Top Channel

Share: