Nga Entela Komnino
Në përsëritjen e vazhdueshme të “Odiseut” në ekranin shqiptar të izoluar me veten, Irenë Papas më dukej gjithmonë e ndryshme.
Edhe pse duhej të prisnim serinë ku i shfaqej Bekim Fehmiu pas gjithë aventurave me dhe pa qef për të parë shqiptaren tjetër që nuk e dinim se ishte shqiptare, pëlhura e Penelopës që zgjaste zgjedhjen e një burri tjetër, më dukej kurthi më i madh për Odiseun.
Asnjë ikje nga kurthet e perëndive nuk do vlente nëse nuk do të gjente shtëpinë. Por kurthi real, ai i moslejimit të informacionit për shqiptarët se p.sh., mbiemri i aktores ishte Lejleku, ia kalonte çdo imagjinate kurthesh kur na bënin me dije se vetëm Bekim Fehmiu ishte shqiptar, edhe pse filmi i bazuar mbi Homerin i kishte të dy personazhet e këta me ose pa dashje ishin të dy shqiptarë.
Bekim Fehmiu e kujton kështu: “Irena kish imigruar në Romë, për shkak grushtshtetit të Juntës ushtarake në Greqi. Kish vuajtur (merakosur) për mikun e saj kompozitorin Teodorakis. Për ta disponuar propozova të shkonim në restorant. Fillova të këndoj një këngë.
Ajo pranoi këngën dhe vazhdoi ta këndojë në greqisht. I habitur reagova:
“Prej ku e di ti këtë?” Kjo është këngë dashurie shqiptare. Jo, kjo është këngë greke nga Janina – tha Irena. Atje jetojnë Arvanitasit, shqiptarët, apo? Duke vazhduar këngën nxori nga çanta e dorës pasaportën dhe – Lexo. Irini Leleku (mbiemrin në shqip dmth lejleku).
Di ti flasësh shqip? – e pyes. Jo, por jam me origjinë shqiptare – më tha Irena. Për ty do ishte fantastike të jesh në rolin e Teutës, mbretëreshës ilire”, tregon t’i ketë thënë Bekim Fehmiu.