Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku tha gjatë një takimi me oficerë të policisë se synon një qasje ndryshe të policisë në raport me qytetarët.
Gjatë takimit, Rrumbullaku u shpreh se nuk ka prioritet ndryshimin e emrave në polici, por ndryshimin e filozofisë së punës.
“Nevojitet analizimi i rasteve dhe nxjerrja e përgjegjësive të drejtuesve në të gjitha nivelet e strukturave ku punonjës policie janë të përfshirë drejtpërdrejt në paligjshmëri, veprimtari kriminale dhe favorizim. Është i domosdoshëm krijimi i një lidhjeje të qëndrueshme të strukturave që kam në varësi me terrenin dhe me problematikat që hasin qytetarët, për të eliminuar tërësisht kulturën e zyrës dhe të papërgjegjshmërisë së drejtuesve në të gjitha nivelet e drejtimit të organizatës”, tha Rrumbullaku, ndërsa shtoi se synon ndryshime në strukturat që lidhen me hetimin e krimit dhe në menaxhimin e burimeve njerëzore.
“Synoj ndryshimin kryesisht të strukturave që merren me hetimin e krimit në përgjithësi dhe të krimit të organizuar në veçanti, si dhe krijimin e një strukture sa më efikase, me qëllim arritjen e rezultateve pozitive në këtë drejtim. Gjithashtu, dua t’ju bëj me dije se do të ndryshojë mekanizmi i menaxhimit të burimeve njerëzore. Brenda pak ditëve, në Policinë e Shtetit do të konstituohen këshillat e shqyrtimit të propozimeve për emërimin në detyrë dhe ecurinë në karrierë të çdo punonjësi policie, praktikë kjo që do t’i japë fund vendimmarrjes së deritanishme që ishte atribut vetëm i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për të emëruar punonjës të Policisë në detyrë në të gjitha nivelet”, tha kreu i Policisë së Shtetit.
“Transformimi i Akademisë së Sigurisë është një objektiv dhe kjo do arrihet duke marrë modelet më të mira europiane të mësimdhënies, me qëllim që efektivët e Patrullës së Përgjithshme dhe oficerët për Hetimin e Krimit, të cilët do të përgatiten në Akademinë e Sigurisë, të dalin prej andej sa më të aftë profesionalisht dhe të përshtatur me kulturën europiane dhe më gjerë të policimit në komunitet”, tha Rrumbullaku./Opinion.al