Home KRYESORE Shën Tereza dhe “shenjtorët” e politikës shqiptare.

Shën Tereza dhe “shenjtorët” e politikës shqiptare.

Nga Nini Dede

Nuk e di pse por hipokrizia e të gjithë politikanëve shqiptarë ( të të gjitha kampeve politike, të vjetër e të rinj), kur prodhojnë show-e ( vizive, verbale etj) përkujtimi në ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës, më duket e ngjashme me fjalët e “Miss”-eve që “shpërndajnë” paqe e mirësi në botë para se juria të japë vlerësimin nëpër kompeticione eventesh bukurie.

Kur i lexoj nëpër statuse rrjetesh sociale,apo dëgjoj nëpër to apo edhe media, bashkë me ndonjë nga shprehjet e saj të cituara ( që i ripërsërisin çdo vit me google-in përpara syve), më duket se i “vrasin” shqiptarët ( të paktën ata që e kuptojnë) edhe më shumë me “shenjtërinë” e tyre huamarrëse nga Nënë Tereza !

Personalisht kjo ditë e kësaj shenjtoreje shqiptare më kujton jo vetëm atë dhe madhështinë e saj për të cilën është e pakuptimtë të flasim vetëm në një ditë të vitit, por cdo grua shqiptare ndër vite që njohu e trashëgoi virtyte të tilla tek pasardhësit.

Gjatë jetës sime kam njohur disa të tilla që nën interesin e kureshtjes sime kuptova që shenjtërimi i mirësisë së tyre (jo vetem si nëna të familjeve të tyre) nuk ishte efekt i moshës së pjekur nga eksperiencat e vështira të jetës, por që në vegjëli ndoshta i trashëguar.

Gjyshja ime ishte një e tillë, dhe kush e njohu nga afër e kuptoi qe në shpirt e në karakter ishte një nga Shën Terezat e shumta shqiptare të atyre viteve të kaluara plot veshtirësi e mundim.

Mendoj se çdokush nē jetēn e tij,e ka njohur të paktën një të ngjashme me Nënë Terezën!

Nuk di të them nëse kjo për shkak të vlerave të pastra të Shqiptarizmës së asaj kohe ( si ajo e Mid’hat Frashërit) apo nga dicka tjetër gjenetike shqiptare, ashtu si nuk di të them për antishqiptarizmin e të ashtuquajturve shqiptarë të ditëve të sotme:
Vërtet nuk e di nëse ai vjen nga dashakeqësia reale e tyre apo nga ndëshkimi i vetë shenjtëve për hipokrizinë “e shenjtëruar” të tyre?

Nini Dede,
5 Shtator 2022

Share: