Home Gjeo-Ekonomia Taksohen ata që fitojnë më shumë, plani i BE për të ndihmuar...

Taksohen ata që fitojnë më shumë, plani i BE për të ndihmuar familjet

Bashkimi Evropian synon të mbledhë 140 miliardë euro nga fitimet ‘e papritura’ të disa kompanive të energjisë, për të ndihmuar familjet dhe bizneset të paguajnë faturat e gazit dhe energjisë elektrike.

Shefja e Komisionit Evropian ursula von der leyen tha se BE propozon vendosjen e një kufiri për të ardhurat e kompanive që prodhojnë energji elektrike me kosto të ulët. Këto të fundit, prej vendosjes së sanksioneve, kanë siguruar të ardhura që sipas zonjes von der Leyen “nuk i kishin llogaritur, e as ëndërruar më parë”.

Fitimet në kompanitë që përdorin energjinë e erës, diellore dhe bërthamore janë rritur për shkak se tarifat e tyre janë të lidhura me çmimin e shitjes me shumicë të gazit natyror, i cili u rrit në një nivel rekord në mars pasi Rusia pushtoi Ukrainën.

Evropa sanksionoi eksportet ruse të naftës dhe qymyrit pas pushtimit, duke bërë që Moska të shkurtonte furnizimet me gaz në këmbim.

Ursula von der Leyen tha të mërkurën se blloku do të kryejë një “reformë të thellë dhe gjithëpërfshirëse” për të shkëputur koston e gazit nga çmimi i energjisë elektrike. Propozimet e Komisionit duhet ende të debatohen dhe të miratohen nga vendet anëtare të BE-së.

Blloku mund të vendosë një kufi prej 180 dollarë për megavat orë në energjinë elektrike të prodhuar nga firmat e energjisë së rinovueshme, tha Komisioni në një deklaratë .

Çmimi standard i gazit me shumicë në Evropë është aktualisht (212 dollarë) për megavat orë.

Çmimet e gazit natyror dhe naftës filluan të rriten vitin e kaluar pasi vendet u rihapën nga bllokimet e tyre pandemike, duke shkaktuar një rritje të kërkesës. Por pushtimi rus i Ukrainës në fund të shkurtit i rriti edhe më shumë.

Top Channel

Share: