Nga Çapajev Gjokutaj, Ckli ‘Mademet e shpirtit’
Mbrëmë pashë ëndërr sikur po qaja me ngashërim, lotët më rridhnin çurk dhe shamia, një nga ato të dikurshmet, më ishte bërë qull. Kur u zgjova nuk kujtoja dot pse kisha qarë, por ndihesha mirë, i lehtë e i kthjellët si qiell pas shiu. Dhe m’u kujtua ai proverbi hebre: lotët janë për shpirtin, si sapuni për trupin.
Me që gjumi s’po më zinte, logjika nisi nga të sajat. Ashtu i lehtë e i shkarkuar, solla në mend thëniet popullore: “Mos të qaftë syri kurrë!” “Sa të kesh ymër, pikë loti mos derdhsh!” Dhe s’dija të thoshja: thënie të tilla janë urime apo mallkime?
E kuptoni ç’do t’i mungonte njeriut po ta privonim nga lotët?
Do t’i mungonte një mekanizëm efikas për të shkarkuar dhimbjet e pikëllimin dhe për të zbutur trysninë a stresin që krijojnë ndjenjat e pashprehura, emocionet e pakonsumuara.
Pa lotët vetshprehja jonë do qe e belbër e do rrezikonte përherë retorikën e pompozitetin e fjalës, në vend të heshtjes dhe natyrshmërisë së ndjenjës. Se lotët që varen faqeve vijnë nga shpirti e jo nga mendja, janë ndjenjë e pastër e pandërmjetësuar nga fjala.
Parë kështu lotët kanë diçka nga e natyrshmja dhe e vetvetishmja, diçka nga e përkryera. Nuk është ngjizur rastësisht metafora “e qante me lot gatimin/vallen/qëndisjen etj”, që themi kur një gjë është bërë me virtuozitet.
Lotët përmbajnë diçka të shenjtë, thoshte shkrimtari, nuk jane shenjë dobësie, por force e dhembshurie, duke buruar natyrshëm prej zemrës pastrojnë trup e shpirt, si të ishin ujë i bekuar.
E megjithatë, mos të qaftë syri kurrë🤠🍂
( Nga cikli ‘Mademet e shpirtit’ )