Home Gjeo-Ekonomia SHBA kundër aminstisë fiskale/ Escobar: Qeveria shqiptare ta përshtatë sipas kërkesave të...

SHBA kundër aminstisë fiskale/ Escobar: Qeveria shqiptare ta përshtatë sipas kërkesave të BE-së

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, para nisjes së dialogut strategjik mes qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe qeverisë shqiptare tha se kjo e fundit duhet ta përshtatë sipas kërkesave të BE-së amnistinë fiskale.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai u shpreh se SHBA-ja ka shqetësime në lidhje me këtë nismë, të cilat i ka diskutuar me qeverinë shqiptare.

Ai theksoi se sot do të ketë një dialog të hapur se cilat do të ishin pasojat e amnistisë fiskale.

“Po edhe ne kemi disa shqetësime. I kemi diskutuar ato me qeverinë e Shqipërisë. Do t’i bëja thirrje qeverisë së Shqipërisë t’i dëgjojë këto zëra dhe ta përshtatë qasjen ndaj amnistisë fiskale që të jetë në përputhje me standardet globale dhe me kërkesat e BE-së. Nuk dua të hyj në thelbin e diskutimeve që do të kemi me zyrtarët shqiptarë sot, por do të kemi një dialog të hapur se cilat do të ishin pasojat”, tha Escobar.

Escobar gjithashtu u bëri thirrje institucioneve shqiptare që të shqyrtonin vendimin e shpalljes ‘non grata’ të ish-kryeministrit Sali Berisha.

Ai gjithashtu u bëri thirrje edhe mbështetësve të Partisë Demokratike që të reflektojnë për imazhin që përcjellin nëse kanë në krye persona që janë të korruptuar.

“Vendimi për ta përcaktuar atë ishte një vendim institucional. Nuk ishte një vendim individual dhe nuk ishte një vendim politik. Ishte një vendim që ne e morëm për shkak të korrupsionit që gjetëm. Unë do t’u bëja thirrje institucioneve në Shqipëri ta shqyrtojnë këtë. Por dua të them, se ne ende kemi partnerë të mirë në Partinë Demokratike, ne duam që Partia Demokratike të jetë një kontribues i fortë dhe i rëndësishëm i stabilitetit politik në Shqipëri. Unë do t’u bëja thirrje mbështetësve të Partisë Demokratike të mendojnë për imazhin që përcjellin, nëse do të kishin në krye njerëz, që janë përcaktuar nga Sekretari i Shtetit për korrupsion”, theksoi Escobar.

Zv/Ndihmës Sekretari e cilësoi dialogun e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA në Departamentin e Shtetit, si më të rëndësishmin  mes përfaqësuesve të këtyre dy vendeve në historinë moderne.

Ai tha se takimi i sotëm një ditor është një simbol jo vetëm i bashkëpunimit mes qeverive, por edhe i miqësisë së thellë mes popullit amerikan dhe popullit shqiptar.

“Ky është takimi më i rëndësishëm mes përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe përfaqësuesve të Shqipërisë në historinë moderne. Ne do të kemi përfaqësues nga Departamenti i Shtetit, Departamenti i Mbrojtjes, ai i Tregtisë, Korporata Financiare për Zhvillimin Ndërkombëtar, si dhe agjenci të tjera qeveritare për të gjetur rrugë për të thelluar bashkëpunimin strategjik. Në vitet e fundit Shqipëria është bërë një partner shumë i besueshëm për Shtetet e Bashkuara. Shqipëria luan një rol të rëndësishëm për stabilitetin rajonal dhe atë në Evropë. Tani që Shqipëria është anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, vendi është bërë një faktor stabiliteti global. Pra është e rëndësishme që të vazhdojmë të bashkërendojmë qëndrimet tona”, shtoi ai

Share: