Nga Irena Beqiraj
“Kjo kompani, akuzohet si një kompani offshore” Apo Ka dyshime mbi ketë kompani se është e regjistruar në offshore (parajsa fiskale ), jane disa nga fjalitë që i degjon shpesh.
Parajsat fiskale sot nuk janë më një koncept ekzotik, ato janë zhvilluar si ndërmjetësit transaksional më të shpejtë dhe që ndërveprojnë mrekullisht me tregjet e rregulluara të kapitaleve. Parakushti i zhvillimit të tyre ishte lëvizja e lirë e kapitalit.
Friedrich Hayek krahasoi të drejtën vitale të lëvizshmërisë së kapitalit me “mysafirin e huaj”, në historinë e hershme greke. Sipas tij, ai ka të drejtë të gëzojë i qetë pasurinë e vet pavarësisht territorit. Por që të ndodhte tërheqja e kapitalit të huaj në u pa e udhës që “Mysafirët grek të Hayek-ut “ të liheshin tërësisht të përjashtuar nga rregullat dhe kontrolli.Kapitalizimi neoliberal e kërkonte këtë dhe qeveritë në mbarë boten e bekuan.
Nëse do te aplikoja për një koncension a investim strategjik do ta regjistroja kompaninë në Parajsat fiskale. Investitorët “e zot” e dinë mirë që regjistrimi në parajsa fiskale ofron dy përfitime.
- Merr statusin e investitorit te huaj , duke ulur risqet legale edhe mund t’i sigurosh të drejtat e tua në gjykatat ndërkombëare.
- Paguan më pak taksa , edhe u bindesh më pak ligjeve të një vendi të caktuar.
Cili është paudhësia morale që do të beja kur 74% e ofruesve te PPP në UK janë të regjistruara në parajsa Fiskale . kur rreth 12 trilion dollarë – gati 40 përqind e të gjitha investimeve të huaja direkte në botë e kanë origjinën nga parajsat fiskale. Përse duhet të stepem para paragjykimeve për korrupsion kur vetëm kompanitë amerikane e listës Fortune 500 mbanin 2.6 trilion dollarë në parajsa fiskale në vitin 2017 ?!
Më jepni një arsye përse duhet ti rezistoja mundësisë për të qenë një nga përfituesit e taksave të ulta ku vetëm vendet në zhvillim humbasin prej regjistrimit të investitorëve edhe kapitalit të tyre në parajsa fiskale rreth 300 miliardë dollarë të ardhura buxhetore ndërkohë që detyrohen të lypin çdo vit 150 miliardë dollarë ndihmë të huaj, për të zhvilluar pjesën tjetër “dallkauke” të shoqërisë që nuk ka zotësinë e nevojshme që të përfitojë nga mrekullitë e lirive neoliberale.
Më thoni përse shfrytëzimi i këtyre dy lirive të sistemit neoliberal do më klasifikonin si të korruptuar, ose të dyshuar për korrupsion ?
Edhe nëse normat e kapitalizmit nuk përputhen me normat morale që predikojmë ku duhet ta pozicionojë veten njeriu tek “dallkaukët e moralshëm ” apo tek ” investitorët e dyshuar per korrupsion ?
Tirania e meritokracisë neoliberale nuk le shumë zgjedhje !