Home Gjeo-Ekonomia Ekonomia shqiptare drejt vitit 2023! Nga Dr. Enriko Ceko

Ekonomia shqiptare drejt vitit 2023! Nga Dr. Enriko Ceko

Shqipëria sot reflekton 110 vite të ekzistencës së shtetit shqiptar dhe kjo vlen edhe për ekonominë, ecurinë, gjendja e saj dhe të ardhmen. Edhe pse ka zhvillime sasiore dhe cilësore, këto nuk prekin themelin e ekonomisë shqiptare, e cila ende dhe sot, nuk ka arritur që të ketë parametrat e viteve më të mira të periudhës më të mirë të regjimit të kaluar, vitet 1978 – 1982.

Sidoqoftë, viti 2021 ishte një vit më pak problematik se sa pritej sidomos pas periudhës së vënies nën kontroll të Pandemisë COVID – 19 dhe Luftës Ukrainë – Rusi. Dhe gjatë vitit 2022 ekonomia shqiptare e mbajti ritmin e ecurisë së vitit 2021 dhe momentum i krijuar mund të përbëjë një mundësi të mirë për një ecuri edhe më pozitive përgjatë vitit 2023, por kjo kërkon orientim të drejtë dhe manaxhim shkencor të burimeve natyrore, financiare dhe njerëzore.

Me një produkt të pëgjithshëm kombëtar rreth 18 miliardë $ dhe të ardhura mesatare për frymë rreth 6300$, buxheti i shtetit, që përbën rreth 35% të PPB, gërryhet prej kohësh nga numri tejet i lartë i punonjësve të administratës publike, që tashmë ka kaluar shifrën 200.000 persona, në një popullsi në tkurrje kur numri i të punësuarve në sektorin privat është vetëm rreth 700,000 dhe numri i pensionistëve që u paguhen pensionet me kontributin e buxhetit të shtetit, pasi skema e sigurimeve shoqërore është e falimentuar, është rreth 700.000. Munges e forcave të punës, jo vetëm që pengon rritjen ekonomike, por nuk garanton rritjen e pensioneve nga vetë skema e sigurimeve shoqërore. Tkurrja e popullsisë, që vjen për shkak të ritmeve të larta ta emigracionit, kryesisht klandestin, dhe rënies së numrit të lindjeve, nuk garanton rritjen e numrit të atyre që kërkojnë punë. Nga ana tjetër, kjo ul kërkesën në treg, që ka qenë për shumë e shumë vite nxitja e ekonomisë shqiptare, parë kjo nga aspekti tregtar.

Sektorët që kanë përcaktuar ecurinë e ekonomisë shqiotare përgjatë vitit 2023 kanë qenë turizmi, tregu i pasurive të paluajtëshme dhe sektori i shërbimeve, dhe duket se do jenë përsëri këta sektorë që do përbëjnë përsëri një trinom të rëndësishëm edhe përgjatë vitit 2023, ndërkohë që pritshmëritë dhe logjika ekonomike ishin që trinomi i ekonomisë shqiptare për periudhën afatmesme dhe afatgjatë të jetë bujqësia – agrobiznesi – turizmi.

Rritja reale e PBB-së për vitin 2022 pritet të jetë rreth 3.7%, por përgjatë vitit 2023 ajo mendohet se do ngadalësohet për të mbajtur frenat rreth shifrës 2%. Kjo për shkak të gjendjes ekonomike ndërkombëtare dhe vështirësive që ka ekonomia shqitare në aspektin e financimeve.

Rritja e çmimeve ishte e pandalshme përgjatë vitit 2022 dhe Banka e Shqipërisë nuk ishte në gjendje që të ruajë kontrollin e inflacionit në kufijtë 2 – 4% dhe është e dukshme se edhe përgjatë vitit 2023 inflacioni do vazhdojë të mbetet mbi 4%, duke lënë mundësinë për vënien e tij nën kontroll vetëm diku nga vera e vitit 2024. Kjo do ndodhë pasi mendohet se tregtia ndërkonbëtare dhe zinxhirët e furnizimit në fillim të vitit 2024 do fillojnë të stabilizohen në shkallë globale.
Borxhi publik në shifrat rreth 10 miliardë euro dhe mungesa e investimeve cilësore që duhet mbështetin biznesin dhe ekonominë, janë një pengesë serioze për rritjen ekonomike dhe qendrueshmërinë e sistemit ekonomik, që edhe pa këtë nivel të borxhit publik, ka vuajtur prej kohësh nga gërryerja që i bën ekonomisë shqiptare ekonomia e zezë dhe ajo gri dhe korrupsioni galopant.

Ekonomia shqiptare ka nevojë për financime, kështu që niveli i borxhit publik duket se më këtë mënyrë qeverisjeje do vazhdojë të mbetet ende i lartë, me një pritshmëri që vetëm në vitin 2028 të shkojë në nivelin rreth 65%, ndërsa tashmë është rreth 70% dhe kjo vetëm pasi vlera e euros ka rënë shumë, në shifrat 1 Euro, rreth 113 lekë, krahasuar me disa vite më parë, kur ishte në nivelet 1 Euro rreth 140 lekë.

Rënia e euros dhe rritja e çmimeve të mallrave të konsumit të përgjithshëm, kryesisht e ushqimeve, energjisë, veshjeve dhe pjesës tjetër të mallrave të konsumit, shtuar këtu edhe shtimin e kostos së banimit (pasi çmimet e banesave dhe e qerave të tyre janë rritur ndjeshëm me një vazhdimësi rreth 10 vjeçare deri tani), janë subjekt i pasigurisë në rritje dhe i shtimit të rizkut për trazira sociale, pasi të dy këto situate ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në të ardhurat reale të qytetarëve.

Duket se stabiliteti makroekonomik është në rrezik dhe kjo dëmton kushtet e bërjes së biznesit. Shqipëria ka humbur pikë në këtë aspekt, duke lënë vendin 62 që gëzonte disa vite më parë për kushtet e bërjes së biznesit, për të qendruar tashmë në vendin 89, që nuk reflekton në fakt mundësitë që ka ekonomia shqiptre për shkak të shpirtit sipërmarrës të popullit tonë.

Ekonomia digjitale dhe financat e gjelbëra duket se janë larg për Shqipërinë dhe kjo do ndikojë në ndarjen digjitale dhe ndarjen e financave të gjelbëra, që është dukuria e ndarjes së shteteve për shkak të nivelit të ndryshëm të digjitalizizmit të ekonomisë dhe të nivelit të ndryshëm të përdorimit të parimeve të financave të gjelbëra. Kjo ndarje sjell largim të vendeve në zhvillim dhe të pazhvilluara nga prirjet zhvillimore cilësore që kanë filluar të shfaqen në vendet në zhvillim. Ndarja digjitale dhe ndarja për shkak të financimeve të gjelbra përbën një rrezik aktual për ekonominë shqiptare.

Duket se ekonomia shqiotare ka nëvojë të menjëhershme për fuzion financimesh të shëndetshme, që nuk mund të realizohen me parimet aktuale të manaxhimit të financave publike, ndërkohë që domosdoshmëria e politikave tampon për mbështetjen e shtresave të paprivilegjuara është imediate.

Transparenca dhe përmirësimi i manaxhimit të financave publike, mbikqyrja financiare dhe lufta kundër korrupsionit në tërësi dhe me financat publike në veçanti, që kanë çaluar historikisht duket se janë thelbi i pritshmërisë për përmirësimin e gjendjes.

Një ndër sektorët më të konsoliduar në ekonominë shqiptare mbetet sektori bankar, por rreziku i penetrimit në këtë sektor të subjekteve me paqendrueshmëri financiare dhe me mungesë kredencialesh besueshmërie, mbetet aktual.
Ekonomia shqiptare ende nuk ka arritur që ndërtojë motorrin e saj, që është e dukshme se duhet të përbëhet nga trinomi bujqësi – agrobiznes – turizëm, motor që nëse funksionion lejon që në një periudhë rreth 10 – 15 vjeçare të krijohen fonde të mjaftueshme nga ana e sektorit privat për investime në sektorë të tjerë të ekonomisë dhe për të kaluar më lehtë në tregjet financiare.

Prodhimi bujqësor ka pësuar rënie të vazhdueshme sin ë nivelin e prodhimit të produkteve bujqësdore dhe blegtorale, ashtu dhe në numrin e bagëtive të imta dhe të trasha dhe të kafshëve të ounës, paralekisht me rënien drastike të numrit të makinerive bujqësore që përdoren në nivel ferme, kombiunuar kjo me madhësinë e vogël të fermave, që nuk lejon aplikimin e teknologjive të avancuara dhe kjo bën që edhe lëndët e para për agrobiznesin, kryesisht të importohen, duke sjellë vështirësi edhe për sektorin e hoteleri turizmit, që në fakt ka synuar guzhinën tradicionale vendase, e cila nuk mund të arrihet me produkte e lëndë të para importi, pasi pjesa tradicionale në këtë rast humbet vlerën.

Tregtia me shumicë dhe pakicë e kanë përballuar me sukses tronditjen e viteve 2019 – 2021 që erdhi për shkak të tërmeteve dhe pandemisë, por tashmë ndryshimet në zinxhirin global të furnizimit kërkojnë që ky sektor të orientohet më drejt në aspektin e burimeve, lëndëve të para dhe produkteve gjysëm të gatshme dhe pëtfundimtare që importohen dhe ato që eksportohen. Pasja e një bilanci tregtar negativ nuk e mbështet shëndoshjen e financave publike dhe private dhe ende nuk ka përbërë nxitje për investime prodhuese me kah sektorin e produkteve industriale.

Duket se kjo gjendje ekziston edhe për shkak të marrëdhënieve të shkatërruara të pronësisë në vend. Prona private prej kohësh ka qenë dhe mbetet objekt dhe subjekt i dukurive të mashtrimit, korrupsionit, tjetërsimit të paligjshëm dhe manipulimeve të dokumentacionit ekzistues, apo edhe eliminimin e tij në mënyrë të rregullt dhe të paskrupullt.

Paralelisht me sa më lart, aspektet e mungesës së standardeve dhe standardizimit të proceseve dhe procedurave, së bashku me problematikën e trashëguar dhe në rritje në çështjet e pronësisë intelektuale, përbëjnë një handicap tjetër për binesin, sipërmarrjen si dhe për sektorin publik gjithashtu.
Dhe mbi të gjitha, në majë të piramidës së problematikës së ekonomisë shqiptare qendron “Shpata e Demokleut”, – sistemi fiskal, që tashmë kërkon një transformim rrënjësor për t’i shërbyer rritjes ekonomike dhe përmirësimit të kushteve të bërjes së biznesit.

Ekonomia shqiptare prej kohësh ka humbur edhe ato pak avantazhe krahasuese dhe konkurruese që ka patur. Kjo e vendos ekonominë shqiptare në një pozicion jo të përshtatshëm në rajon dhe më gjerë, duke ngadalësuar zhvillimin dhe integrimin, pasi mungesa e këtyre avantazheve pengon rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës, objektiva shumë të rëndësishme këto, jo vetëm në aspektin ekonomik.

Varfëria, ulur këmbëkryq në më shumë se 45% të familjeve shqiptare, ndikon negativisht në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve, që përgjatë viteve të fundit nuk kanë parë rritje reale të të ardhurave, pasi shumica e tyre jetojnë me më pak se 500 lekë/ditë, që përbën një sfidë jo vetëm ekonomike, pro edhe politike, sociale dhe kulturore.

Në fushën e statistikave, është e nevojshme rritja e efikasitetit dhe modernizimit të prodhimit të statistikave, duke përmirësuar në mënyrë të menjëhershme përputhjen e plotë mbi llogaritë kombëtare dhe statistikat e sektorëve të ekonomisë, kryesisht bujqësisë, agrobiznesit, turizmit dhe ekonomisë digjitale. Pa shifra, të dhëna, informacione dhe fakte reale dhe të besuieshme, është e pamundur që të vazhdohet të merren vendime të rëndësishme në nivelet e larta qeveritare dhe politike, që prekin në mënyrë të drejtpërdrejtë jetën e të gjithë qytetarëve të Shqipërisë.

Share: