Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me situatën e tensionuar në veri të Kosovës.
Në një status në “Twitter”, Rama ka shpërndarë deklaratën e ambasadës së SHBA në Prishtinë e Beograd, me të cilën shpreh dakordësinë e plotë.
“Nuk mund të bie më dakord se kaq. Me zë të lartë dhe e qartë për të gjithë ata që duan të dëgjojnë”, shkroi Rama.
Në reagim, ambasadat e SHBA kërkojnë heqjen e barrikadave dhe përmbajtje të palëve që të shmangin çdo përshkallëzim.
“Ata që ngritën postblloqe të paligjshme duhet t’i çmontojnë ato menjëherë. Ne presim që t’i jepet fund të gjitha kërcënimeve të dhunës dhe frikësimit. Ne shprehim mirënjohjen dhe mbështetjen tonë të plotë për Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR) për përpjekjet e saj për të garantuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes dhe për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX). Ne i dënojmë fuqishëm si të papranueshme të gjitha sulmet ndaj agjencive të sigurisë kosovare dhe ndërkombëtare”, vazhdon njoftimi.
“I bëjmë thirrje të gjithëve që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të marrin masa të menjëhershme për të arritur një de-përshkallëzimin e situatës dhe të përmbahen nga aktet provokuese. Ne i nxisim palët të punojnë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet shqetësuese”, thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA në Prishtinë e Beograd./Opinion.al