Home KRYESORE Poezi nga Gladiola Jourbus

Poezi nga Gladiola Jourbus

Një liman

Poezia ime lind në buzëqeshjen tënde.
Endem pas pikës së vetme të ujit
që ringjall shkretëtirën.
Këndoj me zogjtë e qiellit.
Vërshojnë flokët e tu të mëndafshtë
mbi ëndrrat e mia.
Endem në oqeanin e dhembjes.
Kërkoj vetëm një liman
për të strehuar zemrën time.
Më në fund…
trokas në portën e dashurisë.
Vallë do ta hapësh?!

Engjëlli tokësor

Të gjithë erdhëm në jetë
nga një grua që lundroi mes ëndrrës.
Një ëndërr që shndërrohet në foshnje të praruar.
Morëm dritë nga sytë e saj.
Ngrohtësi nga fryma e trëndafiltë.
U flladitëm në krahët e engjëllit tokësor.
U shëruam nga puthjet e brishta.
U përkundëm në ninullat e ëmbla,
të qëndisura me urime të ndritshme.
Dhe përkëdheljet zbritën
si zogj të bekuar mbi ne…
nga pema e dashurisë.

Zhvishem nga e kaluara

Zhvishem nga e kaluara.
Dhe pas i lë të gjitha…
fjalë, lot, plagë, buzëqeshje.
Heshtja është rruga
e kthimit tek vetja.
Në qenien time
nis të lulëzojë drita.
Dhe ndiej
se mund të fluturoj sërish.
Yjet më tregojnë udhën
drejt zemrës që vuan.
Si e çmendur do të vallëzoj me stuhitë.
Do t’i hedh tutje rrëketë e lotëve.
Strehë do të gjej në shpirtin tënd…
duke rravguar pas shëmbëllimeve.
Atje ku retë,
nuk e tkurrin të vërtetën.

Share: