Home Gjeo-Ekonomia Sulmohet policia në veri të Kosovës, plagoset një efektiv

Sulmohet policia në veri të Kosovës, plagoset një efektiv

Një efektiv i Policisë së Kosovës është lënduar gjatë një sulmi të armatosur në veriun e Kosovës mbrëmjen e kaluar.

Në një njoftim të policisë së Kosovës thuhet se sulmi ka ndodhur rreth orës 23:00 në fshatin Serbovc të komunës së Zveçanit.

Po ashtu policia bën me dije se njësitë e policisë “janë sulmuar nga persona të armatosur me armë nga një automjet i tipit Audi, ngjyrë hiri, me targa KM. Si pasojë e incidentit, një pjesëtarë i policisë së Kosovës është lënduar lehtë dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në veturën e policisë”.

Polici i plagosur është transportuar në spital për t’i ofruar ndihmë mjekësore, por është jashtë rrezikut për jetën.

Sulmi ka ndodhur pak orë pasi Policia e Kosovës shtoi prezencën e saj në atë pjesë të Kosovës, ku ditëve të fundit janë shpeshtuar incidentet, por pa pasoja në njerëz.

Tensionet janë shtuar pasi në katër komunat në veri, në Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – pritet të mbahen zgjedhjet lokale më 18 dhjetor. Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, kundërshton mbajtjen e tyre.

Për shkak të incidenteve të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kosova të shtyjë mbajtjen e zgjedhjeve.

Share: