Grumbulluesit mbajnë peng miliona euro të fermerëve shqiptarë, kjo sepse grosistët nuk paguajnë në kohë prodhimin bujqësorë që marrin te bujku.
Mos shlyerja në kohë e detyrimeve për prodhuesit bujqësorë, e vë fermerin në vështirësi financiare për të punuar tokën në sezonin e ardhshëm bujqësorë. Përballë kësaj situatë, deputeti i PS, Erion Brace në qershor të 2022 ka depozituar në Kuvendin e RSH një nismë ligjore që mbështet fermerët dhe ndëshkon tregtarët abuzivë nëse fermerët nuk marrin pagesat për produktin e tyre brenda 50 ditëve.
“Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i rregullave për afatet dhe mënyrën e llogaritjes së kamatave ligjorë për pagesat e vonuara nga ana e prodhuesve bujqësorë kundrejt ndërmarrjeve tregtare, në mënyrë që të sigurohet funksionimi i duhur i tregut të brendshëm”.
Fermeri është i pambrojtur përballë pikave të grumbullimit, këto të fundit marrin prodhimin bujqësore në magazinë pa i dorëzuar një faturë tatimore bujkut se me sa para është blerë produkti bujqësorë.
“Domatja shkoi një javë me 70 lekë, ndërsa tani 30 lekë po tallen. Ndërsa sallatori pa lekë. Ata të pikave thonë që sille tek dhe u shit mirë, po nuk u shit do ta hedhim në kanal. Puno gjithë ditën burrë e grua si qen jemi dhe moshë e re dhe nuk marrim asgjë. Dhe thotë po u shit mirë në të kundërt ta hedh në kanal djersën tënde”.
Kjo lloj marrëdhënie tregtare midis bujkut dhe pikave të grumbullit që rrit fitimin e pamerituar të grosistëve, rëndon mbi xhepat fermerëve dhe konsumatorit.
“Mendoj që jemi në kushtet e evazionit përtej asaj që informaliteti është pjesë prezente në një marrëdhënie të tillë. Në kushtet e një tregu informal natyrshëm që dhe çmimet shtrëmbohen dhe nuk ndjekin rregullin e një tregu formal. Në momentin që tregu do të formalizohet dhe do të regjistrohet në regjistrat e secilës palë atëherë çmimin e rregullon vetë tregu për arsye se kemi të bëjmë me marrëdhënie që njërit i duhet e ardhur dhe tjetrit shpenzim”.
Miratimi i këtij projektligji edhe pse nuk paraqet asnjë efekt buxhetor, kjo nismë e Braçes qëndron në sirtaret e Kuvendit prej gati gjysmë viti pa dhënë asnjë arsye se përse.
Top Channel