Çapajev Gjokutaj
‘Sa shumë libra, sa pak kohë’, lexoj në vetratën e një librarie. Dhe me të vërtetë brenda saj gjen qindra tituj në shqip dhe në gjuhë të huaj, letërsi artistike e dokumentare, popullarizuese e shkencore, argëtuese e didaktike.
Vetiu më vijnë në mend vitet e rinisë kur kishim aq shumë etje për të lexuar dhe pak, relativisht pak libra të rinj. Kujtoj se librat asokohe botoheshin në tirazhe shumë më të mëdhenj se këta të sotmit e megjithatë një pjesë e tyre shitej nën banak, ndaj për t’i siguruar duhej të shtoje në rrethin e miqve edhe libraren.
Lexonim më shumë sesa lexojnë të rinjtë sot, them me vete, dhe në mëndje më vjen se para pak ditësh bëri lajm fakti që një vajzë e re, vip nga ata të kallëpit të Big Brother, mburrej në ekran se që nga mosha 15-vjeçare nuk kish zënë libër me dorë🥺
Pas dalldisë së parë për të lavdëruar ‘kohën e rinisë’, mendimi bëhet më analitik e rrjedhimisht edhe më pak mohues e nënvleftësues për ‘këta të sotmit’. Kujtoj se sot librat nuk janë pothuajse i vetmi burim informacioni si dikur, madje interneti dhe rjetet sociale i kanë shtyrë në rend të dytë a të tretë.
Sot madje libri nuk mbetet i pari as si ushqim artistik. Televizioni e interneti, netflix, plex e babaxhanë të tjerë të sjellin në shtëpi filmimet e të gjitha kohëve, duke filluar nga vëllezërit Lumjer e duke ardhur tek ‘The Fabelmans’ apo ‘Fatthënat e Insherinit’ që konkurojnë për Oskarët e sivjetëm. Ashtu si të mundësojnë të shohësh nga kolltuku a divani ekspozitat e fundit nga Luvri a Muzetë e Vatikanit, apo të ndjekësh gjithë emocion koncertet më të arrira në teatrot e New Yorkut, Sidneit a Londrës.
Mbase nuk duhet të qahemi aq shumë për të sotmen, them me vete dhe në mënd më vjen një e moshuar e dhëmbshur, që bënte humor me dhimbjet e stomahut dhe thoshte: sa e kisha thesin në rregull nuk kishte miell, tani që ka miell lloje lloje, më është çarë thesi.
Humori i teto Lalos së ndjerë bëhet bashkë me logon ‘Sa shumë libra, sa pak kohë’ dhe më përballin me dilemën: duhet të gëzohemi apo të shqetësohemi për ‘këta të sotmit’; bollëkun dhe zhvillimet e sotme, shpesh kaotike, duhet t’i shohim me dashamirësi e gëzim apo me zili e qasje të ububushme? Apo edhe ashtu, edhe kështu; të gjitha bashkë por jo të gjitha në të njëjtin çast e kontekst, sipas vendit dhe kuvendi🤠