Ministria për Europën dhe Punët e Jashtëme ka dhënë njoftim zyrtar lidhur me dorëzimin e notës verbale ndaj Britanisë së Madhe pas deklaratave të ministrit britanik për Emigracionin, ndaj emigrantëve shqiptarë.
Ministria e Jashtme thotë se përmes kësaj note verbale “shprehet shqetësimi për deklaratën më të fundit me gjuhë diskriminuese ndaj shqiptarëve nga ana e ministrit të Shtetit për Imigrimin Robert Jenrick”.
Po ashtu ministria thotë se kjo retorikë e përsëritur cënon frymën pozitive të bashkëpunimit bilateral të konfirmuar në Deklaratën e Përbashkët mes Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Edi Rama dhe Kryeministrit britanik Rishi Sunak.
“Ministria e Punëve të Jashtme theksoi se kjo retorikë e përsëritur cënon frymën pozitive të bashkëpunimit bilateral të konfirmuar në Deklaratën e Përbashkët mes Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Edi Rama dhe Kryeministrit britanik Rishi Sunak, në të cilën ndër të tjera ndahet vlerësimi i përbashkët për rolin e diasporës shqiptare në Britaninë e Madhe dhe kontributin e saj të rëndësishëm në kulturën, ekonominë dhe shoqërinë e të dy vendeve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.
Ministri britanik për Emigracionin tha disa ditë më parë se “jam këtu për të parë dëbimin e emigrantëve shqiptarë. Autobusët sapo janë nisur drejt aeroportit dhe në mëngjes ata do të jenë në Tiranë. Stafi ynë po punon për t’i gjetur shqiptarët, për t’i arrestuar, për t’i sjellë në aeroport dhe kthyer në Tiranë. Këta janë jo vetëm emigrantë të paligjshëm, por edhe kriminelë të rrezikshëm të dënuar për drogë”./Opinion.al