Home Gjeo-Ekonomia Kërcënimet ndaj ekonomisë! Banka e Shqipërisë: Inflacioni i lartë, ulet fuqia blerëse

Kërcënimet ndaj ekonomisë! Banka e Shqipërisë: Inflacioni i lartë, ulet fuqia blerëse

Inflacioni i lartë i ka bërë bizneset më të pasigurta për të ardhmen si dhe ka ndikuar në tkurrjen e fuqisë blerëse të familjeve shqiptare.

Janë këto vlerësimet e raportit të Politikës Monetare të Bankës së Shqipërisë  sipas të cilës inflacioni mesatar shënoi vlerën 7.9% në tremujorin e katërt të vitit 2022.

Por me gjithë nivelin e lartë, inflacioni shfaqi një trajektore rënëse në dy muajt e fundit të vitit të shkuar për shkak të ngadalësimit të çmimeve kryesisht të produkteve bazë. Kjo dhe faktorë të tjerë si përmirësimi i situatës në sektorin energjetik bënë që banka qendrore të mos rishikojë politikën monetare në mbledhjen e shkurtit duke mbajtur të pandryshuar në 2.75% normën bazë të interesit.

Ekonomia shqiptare vlerëson banka ka treguar rezistencë ndaj krizës dhe inflacionit të lartë dhe rritja ekonomike për vitin e kaluat vlerësohet në 4%. Por, për vitin e ardhshëm shton se ritmet e rritjes pritet të jenë më të ngadalta si pasojë e situatës së pafavorshme me çmimet e larta çka mund të reflektohet në një rritje më të ulët të kërkesës së huaj për mallra e shërbime, pasiguri të shtuar të agjentëve ekonomikë si dhe rënie të fuqisë blerëse.

Politika shtrënguese që banka ndoqi vitin e kaluar duke rritur normën bazë të interesit 5 herë radhazi është reflektuar tashmë në sistemin financiar sipas raportit të bankës së Shqipërisë, me një rritje të normave të interesit të kredive e depozitave në lekë veçanërisht, ndërsa ka rezultuar më e ngadaltë për kredinë në euro.

Situata e përgjithshme ekonomike po ashtu i bëri bankat më konservatore duke bërë që të shtrëngojnë kushtet e kreditimi në fund të vitit duke miratuar edhe më pak aplikime e të njëjtin trend duket se do të ndjekin edhe këtë fillim vit.

Sa i takon kursit të këmbimit, banka qendrore vlerëson se kursi lekut vijon të mbetet i fortë në raport me monedhat e huaja si rrjedhojë e prurjeve të larta në valutë, çka sipas saj ka bërë që të amortizojë edhe një pjesë të goditjeve të huaja në inflacion.

Top Channel

Share: