Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Publikohet studimi: Shqiptarët nuk besojnë tek institucionet

Publikohet studimi: Shqiptarët nuk besojnë tek institucionet

Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes publikoi sot Barometrin e Sigurisë dhe perceptimin publik ndaj drejtësisë dhe korrupsionit.

Mbi 40 për qind e të anketuarve pohuan se gjendja e korrupsionit ka mbetur e njëjtë në 12 muajt e fundit, ndërsa mbi 25 për qind e tyre u shprehën se gjendja u përkeqësua dhe se tani ka më shumë korrupsion se më parë.

Sipas anketës, mbi 26 për qind pohuan se këtë vit pati një përmirësim të vogël në përpjekjet e qeverisë kundër korrupsionit, ndërsa vetëm 7 për qind panë një përmirësim të rëndësishëm.

Qytetarët pohojnë se punësimi në institucionet publike është jo i drejtë dhe as i bazuar në merita, ndërsa nepotizmi cilësohet si mënyra më e përdorur për punësim në administratë.

Gjysma e të anketuarve (50.35%) pohuan se punësimi në institucionet e sigurisë bazohet në lidhje politike dhe 40.03% e mendojnë këtë për punësimin në administratën publike.

Punësimi përmes rryshfeteve dhe korrupsionit cilësohet nga 25 për qind e të anketuarve për në institucionet e sigurisë dhe 17.53% të tjerë e pohojnë këtë për në administratën publike.

Nëse do të ishin dëshmitarë të një akti korrupsioni, pjesa më e madhe e të anketuarve (43.69%) pohuan se nuk do ta raportonin atë, sepse mendojnë që kjo nuk do ta ndryshonte situatën dhe institucionet nuk do të reagonin, ndërsa 36.71% e të anketuarve pohuan se do ta raportonin ngjarjen tek autoritetet kompetente.

Mbi 18 për qind të tjerë pohuan se nuk do ta raportonin korrupsionin për shkak të frikës nga hakmarrja, prej shkarkimit nga puna, diskriminimit apo arrestimit.

Qytetarët pohuan se institucionet ku kanë më shumë besim për të raportuar korrupsionin janë së pari media, policia dhe SPAK, dhe më së paku besojnë tek ministria e drejtësisë, tek Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe OJQ-të.

Drejtori ekzekutiv i Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, Arjan Dyrmishi, thotë se anketa zbuloi një apati të përgjithshme shoqërore dhe rënie besimi tek të gjithë institucionet, sepse e ndjejnë që prapa këtij mosbesimi qëndron korrupsioni, paaftësia dhe ineficensa.

“Përsëri edhe këtë vit korrupsioni shihet nga qytetarët si kërcënimi më i madh, gati i njëjtë me krimin e organizuar. Korrupsioni është instrument i krimit të organizuar dhe të dyja zhvillohen njëkohësisht. Aty ku ka kriminalitet të lartë, ekziston një presion në rritje që të shtohet edhe korrupsioni, sepse të dy veprojnë me para të pista. Kriminaliteti siguron përfitime të paligjshme, dhe zhvillon korrupsionin e administratës, që t’i pastrojë paratë e mbledhura nga veprimtaritë e errëta”, thotë zoti Dyrmishi.

Forcat e armatosura mbeten institucioni më i besuar i sigursë në Shqipëri, ndërsa administrate doganore shikohet si institucioni më pak i besuar.

Qytetarët pohojnë një rënie besim ndaj të gjithë institucioneve të sigurisë, që janë listuar, krahasuar me një vit më parë, por ndryshimi më i madh është shënuar tek policia e shtetit.

Po ashtu nivele të ulëta besimi nga publiku kanë edhe policia e burgjeve dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

Besimi i qytetarëve ka shënuar rënie edhe Kuvendi dhe qeveria, krahasuar me një vit më parë.

“Kuvendi i Shqipërisë konsiderohet si institucioni më pak i besuar nga të anketuarit, ku vetëm 1 në 10 persona (10.91%) u përgjigjën se i besojnë ose besojnë plotësisht këtij institucioni, ndërsa 2 në 3 persona (66.11%) u përgjigjën se ka pak ose aspak besim tek ky institucion. 18.49% e të anketuarve i besojnë ose besojnë plotësisht qeverisë, ndërsa 60.59% kanë pak ose aspak besim tek ky institucion”, thuhet në përfundimet e anketës.

Edhe besimi i qytetarëve tek gjykatat dhe prokuroritë ka shënuar rënie krahasuar me një vit më parë.

Media dhe ojq-të nuk gëzojnë nivel të lartë besimi. 21.42% e të anketuarve i besojnë ose besojnë plotësisht medias dhe 40.44% i besojnë disi. Nga ana tjetër vetëm 12.81% i besojnë ose besojnë plotësisht ojq-ve në vend.

Besimi i publikut është minimal tek partitë politike: vetëm 1 për qind e të anketuarve pohuan se u besojnë plotësisht partive politike dhe vetëm 5 për qind e tyre thanë se u besojnë atyre.

Në perceptimin e sigurisë publike për vitin 2022, pjesa më e madhe e të anketuarve pohuan se ndjehen të sigurt në shtëpi, lagje dhe qytet, por jo edhe në shtet, ku 36 për qind pohojnë se ndjehen të sigurt.

Të anketuarit renditën si kërcënimet më të mëdha për komunitetet e tyre largimin e trurit (83.48%), shërbimet e dobëta shëndetësore (53.61%) dhe ndotjen e ajrit (51.48%) dhe ndjejnë më pak kërcënim nga infrastruktura e dobët, mungesa e ndriçimit publik.

Gjysma e të anketuarve mendojnë se policia dhe gjyqësori kanë kapacitete deri në një masë të caktuar për t’u marrë me kërcënimet e ndryshme ndaj sigurisë kombëtare.

Mbi 65 për qind e të anketuarve mendojnë se policia ka kontribuar vetëm pjesërisht në përmirësimin e sigurisë së komunitetit përgjatë 12 muajve të fundit.

Si kërcënime kryesore për sigurinë vetjake të anketuarit renditën përdorimin e drogës, zotërimin e paligjshëm të armëve, vrasjet, aksidentet rrugore, grabitjet e shtëpive.

Ndërsa si kërcënime të brendshme për sigurinë kombëtare pjesa dërrmuese e të anketuarve theksuan krizën ekonomike, krimin e organizuar, ikjen e të shkolluarve, papunësinë, korrupsionin, ndërsa më poshtë renditin ekstremizmin e dhunshëm, dhe lajmet e rreme.

Të gjithë treguesit e këtyre kërcënimeve të brendshëm janë përkeqësuar ndjeshëm për vitin 2022 krahasuar me vitin 2021.

Në anketë si kërcënimet e jashtme më të mëdha ndaj sigurisë kombëtare renditen rritja e çmimeve, sulmet kibernetike, kriza energjitike, lufta në Ukrainë, ndryshimet klimatike.

Ndërsa përshkallëzimi i çështjeve rajonale (45.15%) konsiderohet si kërcënimi i jashtëm më pak i rëndësishëm për sigurinë kombëtare të vendit./VOA

Share: