Një gazetar ideal
Nuk ka një botë ideale. Të flasësh për idealizëm në një kohë kur kjo fjalë tingëllon si fyerje rrezikon të ngjash sikur vjen nga një kohë dhe planet tjetër. Por përcaktimi “ideal’ edhe pse jo realist mund të vlejë si shenjë për të treguar “drejtimin e duhur”
A mund të ketë gazetar ideal?
Së pari, një gazetar ideal duhet të respektojë etikën dhe standardet profesionale dhe ta konsiderojë të shëmtuar dhe të dënueshme shantazhin dhe keqpërdorimin e profesionit për qëllime personale apo për shërbime ndaj “të tretëve”. Një gazetar ideal përpiqet gjithmonë të raportojë dhe të shkruajë për të vërtetën duke qenë i paanshëm, duke shmangur sensacionalizmin dhe paragjykimet.
Profesionalizmi është thelbësor për të kthyer besimin e publikut dhe për t’u sigurar që qytetarët kanë akses në informacion të besueshëm.
Së dyti, një gazetar ideal i përkushtohet investigimit dhe nuk e përdor investigimin si “leje gjuetie”, por merret me çështje dhe probleme që shpjegojnë mekanizmin e paligjshmërisë dhe padrejtësisë dhe jo me një rast të veçuar. Gazetaria investigative shërben për të “vënë” para përgjegjësisë ata që janë në pushtet, për të zbuluar korrupsionin dhe abuzimet. Në një vend ku korrupsioni është endemik, gazetaria investigavie është thelbësore.
Së treti, një gazetar ideal është i gatshëm të marrë rreziqe dhe të mbrojë të drejtat e tij. Një gazetar ideal ka guximin t’i thotë të vërtetën pushtetit dhe të denoncojë ata që e kërcënojnë.
Së katërti, një gazetar ideal duhet të jetë në gjendje të punojë në një mjedis profesional dhe bashkëpunues. Në epokën e mediave dixhitale, është thelbësore që gazetarët të punojnë së bashku për të verifikuar dhe shpërndarë informacione të sakta. Gazetaria e mirë kërkon SOLIDARITET. Duke qenë solidar, do të ulen shanset për të kërcënuar dhe intimiduar gazetarët.
Së pesti, një gazetar ideal është gjithmonë i përditësuar. Teknologjia po zhvillohet me shpejtësi. Vetëm profesionalizmi dhe vërtetësia do të bëj të mundur që gazetarët të mbeten relevant dhe efektiv në rolin e tyre si “Qeni roje” i tre pushteteve të tjera.
Së gjashti, një gazetar ideal di të bëj dallimin mes lajmit, propagandës, gënjeshtrës, gjysëm të vërtetave, sajesave, thashethemit, spin-it, keqinformimit, ç’informimit dhe dezinformimit.
Një gazetar ideal e ka të qartë dallimin mes “interesit publik” dhe “interesant për publikun”
Së shtati, një gazetar ideal nuk lind nga asgjëja. Nuk mund të ketë gazetar të lirë, kur pronari i tij i medias është i “robëruar”.
Së fundmi: sot gazetarët nuk janë të pakonkurrueshëm. Sot gazetarë janë edhe qytetarët, pushtetarët, njerëzit e biznesit dhe botës së spektaklit që komunikojne me publikun përmes rrjeteve sociale. Sot “lajmi dhe lajmësi” janë bërë një.
Vetëm rikthimi te idealet ndoshta bën të mundur që gazetaria të mbetet, sipas përkufizimit të Gabriel Garcia Marquez, profesioni më i bukur në botë.