Home Gjeo-Ekonomia A po përgatitet komplot ndaj Vladimir Putin? Emisioni “Lufta dhe Paqja” analizon...

A po përgatitet komplot ndaj Vladimir Putin? Emisioni “Lufta dhe Paqja” analizon “taktikat” që po përdoren

Yevgeny Prigozhin, oligarku rus dhe aleati i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin, njihet si themeluesi i grupit paraushtarak Wagner.

Ai së fundmi ka shfaqur ambicie politike, lëvizje e tillë që sipas njohësve shihet si një kërcënim për pozitat e presidentit të Rusisë Vladimir Putin.

Por, a po synohet përgatitja e një komploti ndaj Vladimir Putin përmes aleatit të tij? Kjo temë u diskutua mbrëmjen e sotme në emisionin “Lufta dhe Paqja” në ABC News nën drejtimin e gazetarit Artur Zheji.

Eksperti i gjeopolitikës, Enri Hide, thotë se ka pasur disa organizime për komplot ndaj presidentit rus dhe kjo është sinjalizuar nga shërbimet inteligjente perëndimore. Sipas tij, Pregozhin kaloi përtej limiteve të tij dhe kjo u pa si rrezik për Vladimir Putin.

“Ka pasur në fakt disa të tillë, që kanë qenë të sinjalizuara nga shërbimet inteligjente perëndimore. Në rastin Pregozhin, unë mendoj se kemi të bëjmë me një lider, i cili shkoi përtej limiteve të tij. Ai donte të kalonte në sferën politike dhe ishte një kërcënim potencial për Vladimir Putin.Putin nuk ka lënë askënd të shndërrohet në një kërcënim potencial”, tha ai.

Kapiteni Artur Meçollari, tha se aksioni ushtarak në Ukrainë është identifikuar me Vladimir Putin, ndaj çdo dështim i saj në terren do të rëndojë pozitat e tij në Rusi.

“Strategjia që u ndoq vitin e fundit nga Rusia në Ukrainë është e identifikuar me emrin e Putinit. Sa më shumë rëndohet pozita e ushtrisë ruse në Ukrainë, përgjegjësia bie më shumë te Putin”, tha ai.

Konflikti i mundshëm në Tajvan dhe vizita e Biden në Kiev, Zaimi: Në SHBA nuk janë të shqetësuar, Kina është paralajmëruar

Gazetarja e Zërit të Amerikës, Menada Zaimi në një lidhje live me emisionin “Lufta dhe Paqja” të gazetarit Artur Zheji në ABC News, komentoi atmosferën në SHBA në lidhje me paralajmërimit për një sulm në Tajvan, por edhe konfliktit që ka nisur prej më shumë se një viti në Ukrainë.

Zaimi u shpreh se shoqëria amerikane nuk është shumë e interesuar për politikën e jashtme, ndaj ende nuk ka shqetësimin.

Lidhur shqetësimin e publikut amerikan në Tajvan. Nuk ka një shqetësim. Ndoshta sepse politika e jashtme nuk ka qenë kurrë shqetësim.

Kjo nuk ka ndalur agjencitë e sigurisë që t’i ofrojnë publikut të dhëna mbi rrezikun që paraqet Kina.

Pentagoni e ka cilësuar Kinën si sfidën kryesore. Zyrtarë të lartë amerikanë e kanë thënë prej kohës se një Kinë që fuqizohet ushtarakisht mund të nisë një sulm në Tajvan.

Paralajmërimet janë se një sulm i tillë mund të nisë në vitin 2027, por një tjetër gjeneral tha që Kina dhe SHBA mund të futen në konflikt pas 2 vitesh”, u shpreh fillimisht Zaimi.

Së fundmi dyshohet se Kina po merr pjesë në luftën në Ukrainë, duke qenë në krahun e Rusisë. Flitet që 100 dronë kinez po marrin pjesë në luftë, por kjo ende nuk është e sigurtë.

Në lidhje me këtë gazetarja Zaimi shprehet se SHBA e ka paralajmëruar Kinën mbi rrezikun që paraqet përfshirja e saj në luftën në Ukrainë.

SHBA ka paralajmëruar Kinën mbi rrezikun që paraqet përfshirja e saj në Luftë”, tha ajo.

Pak ditë më parë presidentin e SHBA, Joe Biden surprizoi me një vizitë në Kiev, e cila sipas gazetares së Zërit të  Amerikës u prit më shumë nota pozitive në Shtetet e Bashkuara.

Ajo shtoi se është vetëm një pjesë e vogël e Republikanëve që kërkojnë që ndihmat në Ukrainë të monitorohen më mirë.

“Biden akoma nuk i ka shfaqur ambiciet e tij, por duke iu referuar vizitës në Kiev, ishte një vendim i guximshëm dhe i rrezikshëm për t’i bëri me dije Rusisë se SHBA dhe Perëndimi është krah Ukrainës.

Në Amerikë, notat që iu veshën kësaj vizite ishin pozitive. Një grup i caktuar Republikanësh mbështesin idenë se duhet të ketë një tjetër strategji për Ukrainën, duhet të monitorohet ndihma ndaj Ukrainës, por në shumicë e mbështesin qasjen e SHBA në lidhje me Ukrainë,” përfundoi Zaimi.

“Kina po përgatitet për të sfiduar SHBA”, Meçollari: Ka si objektiv të marrë Tajvanin

Kapiteni Artur Meçollari në studion e “Lufta dhe Paqja” në AbcNews tha se Kina po punon për të forcuar kapacitetet e saj të forcës detare.

Ai tha se synimet e Kinës janë që të marrë Tajvanin, dhe se po përgatitet për këtë plan, ndërsa mund të veprojë kur të jetë e bindur për marrjen e tij.

“Kina është duke forcuar kapacitete në forcën detare. Lufta në det varet shumë nga teknologjia se nga ajo në  tokë, por ka dhe dobësi të saj, të cilat kanë nevojë  për trajnime. Kina ka për objektiv për të marrë Tajvanin në një mënyrë ose në tjetër, kjo nuk diskutohet. Fati i Ukrainës në njëfarë mënyrë do të përcaktojë  dhe veprimet e Kinës në Tajvan”, tha ai.

Sipas kapitenit, Kina e shikon Tajvanin si nyje deçizive të saj në arenë ndërkombëtare dhe si e tillë do të luftojë apo do ndërhyjë për ta marrë në momentin, kur mendon se mund të arrijë një sukses të tillë.

Kina nuk është gati për të sfiduar sot, por Kina po përgatitet për të sfiduar SHBA.  Tajvani është hapi I parë, por Tajvani është pika deçizive për të ardhmen e Kinës në arenë botërore, është si Kievi për Rusinë. Ajo do të veprojë në Tajvan kur ta ketë të sigurt se mund ta marrë”, shtoi ai.

360grade.al

Share: