Nga cikli ‘Mademet e shpirtit’ I Çapajev Gjokutaj
Dje hasa në fejsbuk një njoftim mortor jo të zakonshëm. Dikush lajmëronte vdekjen e një fqinje të moshuar. Ishte shuar e gjora në vetmi, pas vitesh lëngate nga një parkinson që kishte ardhur duke u rënduar. I shoqi i pat vdekur disa vite më parë, kurse djali i vetëm i ishte vrarë në një aksident gjysëm shekulli të shkuar.
Çuditërisht njoftimi jepte edhe disa detaje për pallatin dhe banorët e tij. Ndërtuar me punë vullnetare tani banohej kryesisht nga të moshuar që gjithsesi ruanin fqinjësinë e mirë me njeri tjetrin. “Zonja N., thoshte i moshuari që kishte shkruar njoftimin, ishte e veçantë, ndaj gëzonte respektin e të gjithëve. Një kopje të çelsave të apartamentit të gjithësecilit rrinte në shtëpinë e saj, në rast nevoje. Sigurisht, vetmia dhe vitet e jetës bënë të tyren. Të gjithë u pikëlluam, ndërsa e përcollëm për në banesën e fundit, në Tufinë”.
Kështu përfundonte postimi. Gjatë mbrëmjes e risolla në mendje dy tri herë shoqëruar me pamje të ndryshme: herë një grup i vogël të moshuarish që përfund Dajtit e buzë muzgut përcillnin fqinjën në banesën e fundit, herë e ndjera që kishte përjetuar rëndimin e sëmundjes vetëm filli dhe herë autori i postimit që, pas varrimit e kishte ndjerë për detyrë të përshkruante ikjen e komshies.
Kishte në këto pamje trishtim por edhe një lloj ngashënjimi. Njerëzillëku, thashë me vete, mbetet modest, i bukur e joshës edhe sot, kur njerëzorja nuk para para pëbën lajm.
(Nga cikli ‘Mademet e shpirtit’)